Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet në lidhje me një rast të blerjes së votave për zgjedhjet lokale në Kavajë.
Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK bën me dije se pas veprimeve hetimore të kryera është provuar se shtetasi Klodian Kapidani, i ka premtuar dhe iu ka dhënë para disa shtetasve për të votuar kandidat të caktuar në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Dosja në ngarkim të të pandehurit ka kaluar në gjykatë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
“Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal është provuar fakti se i pandehuri Klodian Kapidani, me banim në Kavajë, në datën 14.05.2023, datë në të cilën janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme vendore për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë shuma monetare me qëllim për të marrë pjesë në votime, për të siguruar pjesëmarrjen edhe të personave të tjerë në votime, si dhe për të përcaktuar mënyrën e votimit.
Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.88 viti 2023 në ngarkim të të pandehurit Klodian Kapidani, i akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal:, thueht në njoftimin e SPAK.