Ashtu siç gazeta “SOT” e kishte paralajmëruar, Shqipëria rihapi dje bazën ajrore të Kuçovës, e cila tani do të jetë bazë taktike dhe operacionale e Aleancës. Të parët që u ngritën në ajër duke dhuruar spektakël në qiellin e Kuçovës ishin avionët. Dy F35, dy F16 dhe dy Eurofighter demonstruan kapacitetet taktike dhe teknike të këtyre avionëve ushtarakë. Më pas u ngritën dronët “Bayraktar”, që u sollën pak ditë më parë nga Turqia. Për herë të parë në ajër edhe dy helikopterët e rinj “Black Hawk”. Për këtë bazë nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare. Baza Ajrore Taktike e NATO-s do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke shërbyer edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës. E gjithë ceremonia ku së bashku me personalitetet politike, ishin drejtues të strukturave dhe ushtarakë të lartë të vendeve partnere të Aleancës, atashetë ushtarakë, është vëzhguar nga avioni ushtarak i SHBA, i nisur nga Britania e Madhe dhe që ka fluturuar mbi detin përballë Vlorës.
Cummings: Baza e Kuçovës, stacion modern i NATO-s për Ballkanin Perëndimor
E pranishme në ceremoni, ishte edhe menaxherja e Përgjithshme e Agjencisë së NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimet (NSPA), Stacy. A. Cummings, e cila vlerësoi dje se Kuçova është tashmë një stacion modern për operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Në ceremoninë e organizuar për hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, Cummings tha se punimet u përmbushën brenda afateve të pritshme dhe në përputhje me buxhetin fillestar. “Baza ajrore e Kuçovës na kontaktoi për projektimin dhe shërbimin që të punonim krah për krah me Shqipërinë dhe kontraktorët italianë dhe me mbështetjen e paçmuar të autoriteteve lokale të Shqipërisë ofruam punime me cilësi të shkëlqyer, me materiale me standardet e NATO-s. Punimet u përmbushën brenda afateve të pritshme dhe në përputhje me buxhetin fillestar, një arritje e vërtetë sfiduese duke pasur parasysh edhe inflacionin që ndodhi gjatë realizimit të projektit”, deklaroi ajo. Sipas saj, u kryen përmirësime me modernizime që përfshijnë rinovimin e një kulle kontrolli si edhe një dhome kontrolli të rimodernizuar dhe hapësira që sigurojnë magazinimin dhe ndriçimin. “Ky ka qenë ekzekutimi i programit të parë të investimit të NATO-s në Shqipëri dhe NSPA është krenare që ka ofruar mbështetje efikase dhe mjaft të shpejtë për Shqipërinë për të realizuar këtë hap në infrastrukturë, jo vetëm për vendin pritës, por gjithashtu edhe për Aleancën”, tha ajo. Cummings bëri të ditur se “si agjencia kryesuese për blerjet në nivel ndërkombëtar për mbështetje për sistemet në NATO, ne dëshmojmë kapacitetet tona për të vepruar për projekte komplekse dhe urgjente”. “Duke u mbështetur në këtë gur themeli ne presim me padurim që të shtrijmë partneritetin në Shqipëri, duke zgjeruar gamën e blerjeve të infrastrukturës të mjeteve logjistike, si dhe mbështetjen e operacioneve dhe të shërbimeve të ndryshme. NSPA është e gatshme që të rrisë kapacitetet ndërkombëtare dhe të forcojë aftësinë e Aleancës për të përmbushur detyrat e saj themelore për parandalimin e krizave, menaxhimin e tyre si për sigurinë e përbashkët”, nënvizoi Stacy. A. Cummings.
Gjenerali i NATO-s: Shqipëria e gatshme për të marrë më shumë përgjegjësi për të mbrojtur paqen
Ndërkohë komandanti i NATO-s gjeneral lejtnant, Juan Pablo Sanchez De Lara deklaroi dje nga Kuçova se Shqipëria është më shumë se kurrë e gatshme të marrë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë dhe paqen. Në ceremoninë e hapjes së bazë ajrore të NATO-s, në Kuçovë, e cila do të shërbejë edhe për të çuar në një tjetër nivel përgatitjen e aviatorëve tanë, ndërkohë që i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike, De Lara tha se përurimi i saj dëshmon se aleanca jonë, me një qasje 360 gradëshe është e angazhuar mjaft në rajon dhe se koalicioni merr në konsideratë angazhimin e Shqipërisë për sigurinë e NATO-s si e tërë. “Nga qendra jonë jemi tejet të angazhuar të mbrojmë qiejt e NATO-s. Shqipëria është integruar plotësisht në sistemin e mbrojtjes ajrore të NATO-s në 2018, si pjesë e përpjekjes së saj për të rritur ndërveprueshmërinë dhe integrimin me Aleancën Atlantiko-Veriore, me synim për të siguruar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha zyrtari i NATO-s. De Lara u shpreh se përfshirja e Shqipërisë në mbrojtjen ajrore të NATO-s është simbol i kontributit të saj në këtë pjesë të Aleancës dhe kjo dëshmon unitetin dhe vendosmërinë e NATO-s, si po tregojmë aktualisht në rastin e sulmi të paligjshëm e pushtimit të paligjshëm rus në Ukrainë.
Reagon ministri italian i Mbrojtjes
Sakaq ministrit Italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i cili mori pjesë në ceremoninë hapëse të bazës së NATO-s në Kuçovë e vendosi fokusin e fjalës së tij në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërsa tha se kjo bazë është mesazh i qartë për përballimin e sfidave të së tashmes dhe së ardhmes. “Kremtojmë sot një moment domethënës që shënon njëherësh një pikarritje të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë, një pikë kthese për Ballkanin Perëndimor. Përurimi i bazës, fryt i një rruge aspak të lehtë, mbërrin në një moment ndryshimesh të thella në arenën ndërkombëtare. Tregon angazhimin e Shqipërisë krah Italisë, një vend që ndajmë lidhje të thella historike, miqësie, përveç fqinjësisë gjeografike. Rrugëtimi drejt demokracisë i Shqipërisë nisi vite më parë që e bëri të anëtarësohej në Këshillin e Europës në ‘95 dhe në NATO-s në 2009. Një rrugëtim që ka tipare të përbashkëta me Italinë. Shqipëria është një shtyllë solide dhe sistemi vlerash, Italia që e ka mbështetur me forcë vendimin për anëtarësim në BE. Gjesti që bën Italia është shenjë e një miqësie të thellë, shenjë e vullnetit për të ndërtuar një bashkëpunim më të fortë në çdo fushë. Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes është shtyllë themelore në marrëdhëniet mes dy vendeve. Një mbështetje e ndërsjellë e jona që shfaqet përmes stërvitjeve të përbashkëta, e veprimtarisë të shkëmbimit në çdo nivel. Përurimi i bazës nuk është vetëm një pikëmbërritje e arrirë por një pikënisje për bashkëpunime në të ardhmen. Në një kohë që karakterizohet nga pasiguria dhe sfida komplekse, e sotmja është mesazh i qartë, bazë për të përballuar sfida të së tashmes dhe të ardhmes”, deklaroi Crosetto.
Baza e NATO-s në Kuçovë shqetëson Rusinë
Por edhe mediat ruse i kanë bërë dje jehonë inaugurimit të kësaj baze, teksa nuk u ka shpëtuar deklarata e Edi Ramës, që përmendi dhe Rusinë. “Shqipëria hapi aeroportin ushtarak të Kuçovës, të ndërtuar nga Bashkimi Sovjetik, për të strehuar forcat ajrore të NATO-s. Kjo është bërë e ditur nga shërbimi për shtyp i NATO-s. ‘Rindërtimi i bazës ajrore të Kuçovës është një investim strategjik dhe tregon se ne duhet të vazhdojmë të forcojmë praninë tonë në Ballkanin Perëndimor’, tha zëdhënësi i aleancës Dylan Ëhite. Fusha ajrore ndodhet 80 km larg kryeqytetit të Shqipërisë, kostoja e rindërtimit ishte 50 milionë euro. Kjo bazë do të shtojë një element tjetër sigurie në Ballkanin Perëndimor. Sot jetojmë në një epokë tjetër dhe për fat të mirë, në anën tjetër,’ citon ‘Reuters’ të ketë thënë kryeministri shqiptar Edi Rama. Ai e lidhi hapjen e bazës ajrore me “kërcënimin” që pretendohet se buron nga Rusia””, shkruan “Tass”.