A mund të prodhojë Shqipëria armë? A i kemi kapacitetet dhe teknologjinë e duhur. Për këtë situatë ka folur ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu dhe gazetari Artan Hoxha. Mediu shprehet qartë se Shqipëria nuk i ka kapacitetet dhe teknologjinë për të prodhuar armë. Në një intervistë televizive, ai tha ditën e djeshme se vendi ynë për herë të fundit ka tentuar të prodhojë fishekë apo edhe kallashnikovë në 2006-2007 me kërkesë të partnerëve tanë, e cila funksionoi për një periudhë të shkurtër kohore. Ai tha se në Shqipëri ka teknologji kineze dhe ruse. Mediu u shpreh se Shqipëria ka pasur tre uzina kryesore të prodhimit të armëve, lëndëve plasëse dhe municionit, të cilat sot sipas tij, janë kthyer në fabrika demontimi. Ai tha gjithashtu se në Poliçan janë dy pajisje franko-zvicerane për prodhimin e fishekëve, por që sipas tij, nuk janë vendosur asnjëherë në punë. “Shqipëria për herë të fundit ka tentuar të prodhojë fishekë apo edhe kallashnikovë në 2006-2007 me kërkesë të partnerëve tanë, e cila funksionoi për një periudhë të shkurtër kohore. Por nuk e ka teknologjinë. Në Shqipëri ka teknologji kineze dhe ruse. Me sa kam unë dijeni janë dy pajisje për prodhimin e fishekëve në Poliçan që janë franko-zvicerane, por që nuk janë vendosur asnjëherë në punë. Unë dëgjova Peleshin që tha ne duhet ta rivitalizojmë industrinë ushtarake, por kjo lloj kërkese e Zelenskyt është një kërkesë për emergjencë që nuk përputhet me mundësitë që ka Shqipëria. Pastaj ç’mund të bëjë më pas Shqipëria, kjo është një çështje tjetër. Kanë qenë tre fabrika, ajo e prodhimit të fishekëve në Poliçan, të armëve apo kallashnikovëve në Gramsh dhe në Mjekëz ajo e prodhimit të lëndëve plasëse. Këto u kthyen më tepër për demontimin dhe shkatërrimin e armëve dhe sot në dijeninë timë nuk ka më dijeninë time sot teknologji për armët. Nga demontimi para Gërdecit ka pasur 100 viktima të tjera po ju s’dini gjë”, tha Mediu.
Krahasimi i Artan Hoxhës
Nga ana tjetër, edhe gazetari Artan Hoxha shprehet se dikur vendi ynë ka pasur një ekip me 187 aeroplanë sulmi të tipit, MIG 17, MIG 19 dhe MIG 21, të cilët janë “asgjësuar”. Sot, sipas tij Shqipëria ka përfunduar vetëm me 3 dronë ‘Bayraktar’. Po ashtu ai ka ironizuar duke thënë se baza e Kuçovës vetëm sa është asfaltuar. “Në bazën ajrore të Kuçovës, mbi një avion luftarak MIG 19-të, të Forcës Ajrore të Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë. Eh, ishin kohëra të tjera. Ishte shekull tjetër, shekulli i 20-të. MIG-19 është një tip avioni sulmi, i futur në shërbim nga FA të Shqipërisë, në vitin 1962. Ishte avioni kryesor luftarak i Ushtrisë Shqiptare për 43 vite me radhë. Ushtria Shqiptare dispononte 75 avionë sulmi të tipit MIG 19-të. Duke pasur numër të madh avionësh MIG 19, skuadrilje avionësh sulmi të këtij lloji, ishin shpërndarë në tre bazat ushtarake ajrore të Kuçovës, të Gjadrit dhe të Rinasit. Nga viti 2005, Shqipëria e nxori nga shërbimi të gjithë flotën ajrore të avionëve luftarakë të përbërë nga 187 aeroplanë sulmi të tipit, MIG 17, MIG 19 dhe MIG 21… Prej vitit 2005, Shqipëria disponon vetëm një flote të kufizuar helikopterësh transporti… Ndërsa sot, 4 mars 2024, u zhvillua gjithë ajo ceremoni e madhe, pasi Shqipëria, më në fund ka vetëm 3 dronë Bayraktar…Dikur kishim një flotë të tërë me 187 avionë sulmi dhe 3 baza ajrore, tani riveshëm me asfalt pistën e bazës ajrore te Kuçovës dhe sapo morëm 3 dronë…”, thotë Hoxha.