Sot, në ambientet e Medresesë së Tiranës, në orën 10:30, do të mbahen zgjedhjet për Kryetar të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, procedurë kjo e cila zhvillohet në përfundimin e mandatit 5-vjeçar të kryetarit aktual Bujar Spahiu, i zgjedhur ky i fundit më 02 mars të vitit 2019. Kandidaturat për t’u votuar janë Bujar Spahiu, Kryetari aktual i institucionit, Eduard Shefki, Administrator i myftinisë së Durrësit dhe Emirjon Vathaj, Myfti i Beratit. Ata do të prezantojnë platformat përkatëse përpara Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Këto zgjedhje vijnë në një moment shumë të nxehtë për KMSH, pasi “koka” e Bujar Spahiut është kërkuar gjithë këto kohë nga Ankaraja pasi ai akuzohet si gylenist dhe ditët e fundit organizata FETO është kthyer sërish në qendër të diskutimeve mes marrëdhënieve Shqipëri-Turqi pas kërkesës së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan ndaj kryeministrit Edi Rama për të ‘spastruar’ përfaqësuesit e kësaj organizate në Shqipëri. “Sulltani” ka një plan që investimi turk në Xhaminë e Madhe në Tiranë të mos shkojë dëm. Gazeta e raportoi pak ditë më parë se ai po planifikon krijimin e një shoqate me radikalë të cilëve do t’ju japë këtë xhami, e cila po mbahet ende “peng” nga Erdogan për shkak se Tirana nuk i ka dorëzuar të gjithë gylenistët. Por me zbatimin e kërkesave të Erdogan dhe krijimin e shoqatës me radikalë, e cila do të ketë mbështetje dhe nga kryeministri Rama, Xhamia e Madhe do të “zhbllokohet” dhe do të kalojë në duart e tyre.
Situatë e nxehtë në KMSH
Gjithë këto ditë ka patur akuza ndaj Komunitetit Mysliman Shqiptar. Ka qenë studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Marlind Laçi, i cili tha se anëtarët e organizatës “FETO” të cilët njihen si “gylenistë” kanë uzurpuar edhe Komunitetin Shqiptar Musliman. “Gylenistët janë organizatë okulte që operon për të vendosur emisarët e saj në çdo post nevralgjik të një shteti me qëllim që t’i shërbejnë një personi me emrin Fetullah Gylen. Ngre një rrjet të madh tentakulash për të krijuar një shtet hije. Në Shqipëri nga kjo organizatë është uzurpuar edhe komuniteti mysliman shqiptar. Kuptohet se janë gylenistë nëpërmjet formave sesi i kanë marrë bursat dhe predikimi i tyre. Myftiu i Tiranës nuk guxon të dalë e të thotë se nuk është gylenist apo të shkojë në gjykatë e të ngrejë një aktakuzë mbi sulmin e tij si anëtar i FETO-s.”- u shpreh Laçi. Më tej, ai ngriti alarmin duke thënë se anëtarë të kësaj organizate janë në të gjitha institucionet e vendit dhe kanë ngritur një “shtet hije”, duke përmendur edhe disa institucione arsimore dhe shëndetësore të cilat sipas tij janë nën ndikimin e ‘FETO’-s. “Gylenistët janë kudo, në sistemin arsimor ku indoktrinojnë njerëz kryesisht të ardhur nga zona të thella të Shqipërisë si myftiu i Tiranës që është marrë si fëmijë, është indoktrinuar në Turqi madje edhe i martojnë me anëtare të organizatës. Pra janë sekt dhe ia kushtojnë jetën këtij sekti. Në arsim, universiteti ‘Ëestern Balkan’, Bedër, në mjekësi, spitali ‘Hygeia’ dhe spitali amerikan. Në politikë mjafton të hapni ato listëpagesat e bëra. Patëm edhe rastin e ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati. I ke edhe në media, kudo. Ato shtrihen në media si gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë. Një agjendë që nesër mund të sjellë probleme në demokracinë e brishtë shqiptare. Mund të ketë edhe në sistemin e drejtësisë, funksionojnë si shteti hije. Marrin drafte sesi funksionon organizata në Turqi dhe i përkthejnë edhe në shqip. Vetëm se këtu ka pushtet edhe më te fortë se ka edhe pushtetin fetar”, tha mes të tjerash studiuesi.
Qëndrimi i Ylli Gurrës
I të njëjtit qëndrim ishte edhe ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra i cili deklaroi se Komuniteti Musliman i Shqipërisë është kthyer në një “grupim okult gylenist” dhe theksoi se SPAK duhet të nisë hetimet sa u takon shkeljeve të bëra me shitjen e pronave në Korçë që janë në emër të institucionit. “KMSH nuk konfirmon atë që, nuk është sot komunitet por komitet. Nuk është bashkësi që përfaqëson diçka por është shndërruar në një komitet pjesë e grupimit okult gylenist. KMSH nuk ka asnjë lloj kusuri të paguajë faturat e një grupimi okult gylenist në kurriz të shqiptarëve dhe myslimanë”, u shpreh Gurra.