Në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), tashmë sigurohet kryerja e të gjitha analizave sipas kërkesave teknike të BE-së dhe standardeve të biosigurisë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj vizitoi sot këtë institut, nga ku theksoi se siguria ushqimore është një prioritet i rëndësishëm për qeverinë.
Denaj u takua me drejtues të ISUV, ku diskutoi mbi investimet në laboratorët e akredituar për analizat ushqimore.
“1631 testet e akredituara në ISUV, nga 6 teste që ishin në 2013, janë garancia më e mirë për sigurinë e produkteve ushqimore, duke ofruar një mbrojtje për çdo konsumator”, deklaroi ministrja.
Ajo theksoi se ISUV po luan një rol kyç në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe në përmirësimin e standardeve ushqimore në vend.
“Përkushtimi ynë i përbashkët është për të siguruar që produktet ushqimore që arrijnë në tavolinat tona janë të sigurta dhe cilësore, dhe kjo falë përparimeve teknologjike dhe metodave të avancuara të testimit, ku ISUV po luan një rol kyç në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe në përmirësimin e standardeve ushqimore në vend”, tha ajo.