Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një takim me disa grumbullues dhe fermerë të zonës së Divjakës, me të cilët bisedoi mbi problematikat dhe mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të sektorit bujqësor.
Në takim u diskutua mbi nevojën për të zgjeruar madhësinë e fermës, rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e produktit, si dhe respektimin e legjitimitetit të marrëdhënieve kontraktuale grumbullues-fermerë.
Denaj tha se një nga sfidat është përmirësimi i infrastrukturës laboratorike dhe ulja e kostos për analiza, si dhe afërsia me qendrat laboratorike.
Po ashtu, shtoi Denaj, në fokus është edhe nevoja për të parë mundësinë e hapjes së tregut eksportues për pataten, si një mundësi e artë për të kultivuar më shumë toka bujqësore.
Sipas saj, praktikat më të mira për monitorim të përdorimit të pesticideve dhe këshillimit nga agronomët duhet të jenë më aktive në promovimin e metodave më bashkëkohore, sidomos të luftës biologjike.
Në qendër të takimit ishte edhe planifikimi i tregut dhe strategjitë e grumbullimit
Denaj theksoi se “përvojat, sugjerimet e tyre dhe dialogu janë shumë të rëndësishëm, pasi së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për bujqësinë tonë”.