Rita Petro me romanin “Lindur së prapthi” është propozimi i vendit tonë për Çmimin Europian të Letërsisë. Në Shqipëri komisioni përzgjedhës përbëhej nga Aleksandër Çipa, Mimoza Ahmeti dhe Elsa Skënderi, që përzgjodhi autoren Petro bazuar në disa kritere që kanë të bëjnë edhe me numrin e veprave në gjuhë të huaj deri tani. Komisioni u ngrit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me EUPL. Alda Bardhyli drejtoreshë e QKLL ka bërë me dije se komisioni u orientua nga kriteret që janë vënë nga EULP. “Rita Petro u zgjodh nga një komision i ngritur nga Qendra e Librit. Komisioni u orientua nga 13 kritere që janë vënë nga EUPL. Motivacioni i përzgjedhjes është si një zë ndryshe në letërsinë femorërore dhe një libër që sjell këndvështrimin e botës me syrin e një vajze të vogël dhe me pas të një gruaje gjatë komunizmit”, shprehet Alda Bardhyli.
Të enjten 13 shtete kanë propozuar secili nga një shkrimtar që do të jetë në garë për Çmimin Europian të Letërsisë. Vlerësimin e bën një juri ndërkombëtare dhe fituesi shpallet në Panairin e Librit në Bruksel më datë 4 të muajit që vjen. Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL), është i mbështetur nga programi Evropa Kreative i Bashkimit Evropian dhe është një iniciativë vjetore për të njohur shkrimtarët më të mirë të letërsisë në zhvillim në Evropë. Çmimi synon të vërë në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore evropiane, të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Evropës dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare të kësaj letërsie.