Filmi “Një jetë me ty” është një komedi satirike. Një prodhim kinematografik i vitit 2021 me skenar dhe regji nga Erion Kame, që u shfaq në ciklin e takimeve “Forumoteka” në COD. Qendra për Hapje dhe Dialog-COD organizoi takimin e radhës të ciklit të takimeve “Forumoteka”, në bashkëpunim me qendrën “Cinespia 67”, ku këtë herë u diskutua mbi filmin me metrazh të gjatë të regjisorit Erion Kame. Aktorë në role janë Dritan Arbana, Ajsi Xhaxhaj, Sindi Leka. “Një jetë me ty” është një komedi satirike, ku në qendër të filmit është një çift i ri, të cilët bien në dashuri me shikim të parë. Pas një kohe ata vendosin të martohen dhe këtu fillojnë problemet e para. Jeta bashkëshortore nuk është ashtu siç ata e kishin pritur, ashtu siç ata e kishin ëndërruar. Problemet e përditshme dhe të parëndësishme, bëjnë që ata të vënë në pikëpyetje martesën e tyre. Dhe sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, gruaja mendon se i shoqi e tradhton me sekretaren e tij dhe ky keqkuptim fatal do të çojë në divorcin e tyre. Por koha që kalojnë larg njëri-tjetrit i bën të rizbulojnë njëri-tjetrin dhe të marrin një vendim të ri për fatin e tyre dhe të fëmijëve. Dritan Arbana që është me rol në filmin “Një jetë me ty” ka mbaruar studimet për aktor në Australi dhe ka pasur shumë eksperienca dhe punë të mira atje. Për publikun shqiptar ai njihet edhe me projektin shqiptaro-australian, “Bloodlands” si producent dhe aktor.
“Forumoteka” në COD
Regjisori Erion Kame i nisi xhirimet në vitin 2018 për filmin artistik me metrazh të gjatë, kategoria indipendent “Një jetë me ty”. Me skenar dhe regji nga Erion Kame, filmi është një prodhim i shtëpisë kinematografike “Black Box Films” me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK). Erion Kame është një regjisor i njohur i skenës sonë teatrore, por në aktivitetin e tij janë dhe prodhimet kinematografike. Në COD pranë kryeministrisë zhvillohen herë pas here veprimtari të ndryshme për publikun. COD përbëhet nga tre hapësira, -biblioteka, ku gjenden hapësirat për studim; salla digjitale ku shfaqen projeksionet e prezantimet; dhe salla e ekspozitave “Tako artistin”. Në vijim të këtyre veprimtarive në COD po zhvillohen dhe takime për ciklin “Forumoteka”, ku shfaqen filma të ndryshëm që janë realizuar nga regjisorët shqiptarë prodhuar ndër vite. Në takimet që zhvillohen në kuadër të ciklit “Forumoteka” në Qendrën për Hapje dhe Dialog -COD marrin pjesë edhe regjisorë e aktorë, ku diskutohet mbi filmat që shfaqen. Deri tani në kuadër të takimeve “Forumoteka” janë shfaqur prodhime të kinematografisë shqiptare që janë pritur me interesin e të pranishmëve, mes tyre përmendim filmat e regjisorëve Fatmir Koçi, Bujar Alimani, Gentian Koçi, Aleksandër Sadiku, etj.