Më 20 maj 1944 u përurua Brigada XII Sulmuese (BrXIIS) në fshatin Sukë të Përmetit. Brigada kishte komandant Refat Bajrami dhe komisar Qamil Klosi, si dhe anëtarë të shtabit e të seksionit politik Mehmet Jaho, Vasil Nathanaili, Veiz Gjebero, Viez Pipa dhe Vangjelo Sotiriadhi etj. Nga BrXIIS në fushën e luftës ranë mbi 108 dëshmorë, të cilët kanë mbetur yje të pashuar në altarin e lirisë të Atdheut: Qeriba Koka, Shefit Hekali, Braho Sako, Osman Beshiri, Sinan Rexho Ballaci, Abdyl Kuka, Maliq Fejzi Metushi, Baxhul Duro Nora, Rait Veip Toto, Laze Birbil Muzhai, etj. Më 20 maj 2024 BrXIIS përkujtoi 80 vjetorin e formimit dhe rrugën luftarake të saj në Sukë të Përmetit. Bashkë me rrugën luftarake të saj, u përkujtuan dhe dëshmorët që ranë për lirinë e Atdheut. Po sjellim në vëmendje disa nga dëshmorët e rënë 80 vite më parë…
Komisarja që frymëzoi të rinjtë…
Qeriba Shaqo Koka lindi në Nivicë në vitin1926, një një familje të thjeshtë, por atdhetare. U rrit duke dëgjuar këngë nga zemra e goja e popullit luftëtar shqiptar. U frymëzua nga bëmat e të parëve të vendit të ahqiponjave, që sa herë i është kanosur e pushtuar vendin, kanë rrëmbyer armët me burra e me gra e vajza. Gjatë luftës për çlirimin e Atdheut, sokolesha Qeriba luftoi me armë në dorë duke qënë në detyrën e komisares së kompanisë të tretë të batalionit të dytë të Brigadës XII Sulmuese. Në Operacionin e Qershorit 1944, Qeribaja ra dëshmore më 20 qershor 1944, në malet e Kurveleshit heroik, në fshatin Luzat, duke çarë rrethimin e nazistëve. Ra si heroinë, duke thirrur: “Përpara, përpara partizanë!… Në organin “Flaka” të BrXIIS u shkrua për Qeribanë ku thuhej se “Jeta e saj qe jetë lufte. Ajo, ligjëroi, organizoi, ndezi zemra të shumta, mbolli në farë që mbiu dhe do të mbetet për jetë… Ajo lajmëroi çlirimin, se armiku i urryer ishte i destinuar të zhdukej…”. Për Qeriba Koka u thurën këngë dhe ngeli në vjershërimin popullor: Atje sipër përmbi fshat/ buzë bredhit në Luzat/ kishin parë Qeribanë/ kur sulmoi te një majë/ Qeribanë kur e vranë/ la amanetim mbi armë: -Nëna, baba të mos qajë… Është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 44, datë 3. 8. 1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tepelenës. Shkruar për të në “Yje të Pashuar”, vëll. 2, Tiranë, 1971, f. 159; Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 185-186; Zagoll Skëndo, 325 yje të Kurveleshit, Tiranë, 1996, f. 137.
Ranë në Operacionin e Qershorit 1944…
-Divit Sali Gërbi lindi në vitin 1926 në Bënçë, në një familje me tradita luftarake. Që i vogël njohu shkollën e mjerimit. Me fillimin e lëvizjës ishte një aktivist dhe anëtar i grupit edukativ të fshatit. U organizua në çetën territoriale, duke kryer detyra të për luftën. Në maj 1944 radhitet partizan në Brigadën XII Sulmuese. Në Operacionin e Qershorit 1944, ra heroikisht më 20 qershor 1944 në Kuç të Kurveleshit, Vlorë në luftime që brigada zhvillonte kundër forcave gjermano-balliste. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 44, datë 3. 8. 1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tepelenës. Shkruar nga Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 86.
-Bajram Veli Ramaj lindi në Levan të Fierit në vitin 1924, në një derë, pragun e së cilës e kapërcenin vetëm trimat. Në mars 1943 përkrahu Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u lidh vendosmërisht me të. Ka kryer detyra të rëndësishme për luftën. Ka marrë pjesë në grupin edukativ dhe në çetën territoriale të fshatit Levan. Në vitin 1944 radhitet partizan në Brigadën XII Sulmuese. Ra heroikisht më 20 qershor 1944 në Kuç të Kurveleshit, Vlorë, në luftimet e zhvilluara kundër forcave gjermano-balliste. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 44, datë 3.8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tepelenës. Shkruar nga Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 90.
-Ramiz Shaho Çaushaj lindi në fshatin Kalivaç në vitin 1910. Familjarisht u larguan nga vendlindja për shkak të varfërisë. Vendoset për të punuar dhe jetuar në Vllahinë. Në prill 1944 radhitet partizan në Brigadën XII Sulmuese. Ai kontriboi me armë në dorë kundër pushtuesve të huaj. Mbeti përjetë në lavdinë e atdheut më 20 qershor 1944 në Zhur të Kuçit të Kurveleshit. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 44, datë 3. 8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tepelenës. Shkruar nga Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 134.
-Musa Ramiz Myrtaj lindur në Progonat në vitin 1922, në një familje ekonomikisht të varfër, por edukuar e kalitur në një mjedis atdhetar. Radhitur në rreshtat e Brigadës XII Sulmuese dhe luftoi me trimëri. Bie trimërisht në fushën e nderit në Qafën e Kiçokut të Tepelenës më 28 qershor 1944 gjatë luftimeve kundra forcave gjermano-balliste. Populli i këndoi: Sulmon kaompania e parë/ u vërsul përmbi gjermanë/ Musa Myrtua është vrarë/ mbenë dhe ca tradhëtarë… Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 44, datë 3. 8. 1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tepelenës. Shkruar nga Kadri Mahmut Shametaj, Shqiponjat e Tepelenës, Tiranë, 2003, f. 134; Zagoll Skëndo, 325 yje të Kurveleshit, Tiranë, 1996, f. 137.
Ra dhe mitralieri zemërshqiponjë
Avdul Kuka lindi më 1918 në lagjen Çfakë të Gjirokastrës. Shkollën fillore e kreu në Vlorë, të mesmen në Tiranë. Pasi mbaron shkollën, punon kamarier në Tiranë. Avduli, me thirrjen e Partisë, dezerton nga ushtria dhe bashkohet me njësitin guerril të Vlorës. Më pas u bë shembull guximi e vetemohimi në radhët e çetës “Kastriot Muço” edhe në batalionin “Halim Xhelo”. Me krijimin e BrXIIS, u inkuadrua në radhët e saj, efektiv në batalionin e dytë. Pranë grykës së Komarit zhvilloi përleshjet e para batalioni i dytë, i cili sulmoi me trimëri armikun. Hitlerianët, të armatosur gjer në dhëmbë, organizuan sulme të fuqishme që partizanët të shkuleshin nga pozicionet, por këta qëndruan të pathyer. Skuadra, që udhëhiqej nga Avduli, luftoi me trimëri. Ajo u ndodh më pranë armikut se forcat e tjera partizane. Gryka e Komarit (Gllavë) u ndez nga zjarri i luftës. Gjermanët e panë vdekjen me sy. Përmbi shkëmbenj mbeti Avduli, mitralieri zemërshqiponjë. Ra ashtu siç dëshëronte, në ballë të luftës. Shkruar në librin “Yje të Pashuar”, vëll. 2, Tiranë, 1971, f. 157.
Ra për çlirimin e Delvinës
Maliq Fejzi Metushi ka lindur në Navaricë, në vitin 1917, në një familje atdhetare. Me shumë sakrifica mundi të bëjë shkollën fillore dhe më pas nisi të punojë për të mbajtur familje. Me fillimin e Lëvizjes fillimisht ishte një simpatizant i saj dhe më tej nis të aktivizohet me grupet edukative të qytetit. Ka dalë partizan në 31.12.1943. Më tej u rreshtua në BrXIIS, ku u shqua në mjaft luftime. Ishte korrik i vitit 1944. Shtabi i GrIVP ndodhej në fshatin Navaricë ku planëzoi sulmin kundër garnizonit gjermano-ballist, i dislokuar në qytetin e Delvinës. Forcat partizane të GrIVP, pasi kaluan lumin e Bistrices mbi një urë provizore në fshatin Brailat, u dislokuan në formacione luftimi përreth qytetit të Delvinës ishin gati për sulm. Beteja nisi e ashpër. Për një moment forcat partizane u ndodhën para një rrebeshi zjarri të armikut, ku qëllonte me të gjithë arsenalin e armëve që dispononte. Por situata u mor shpejt nën kontroll dhe forcat partizane filluan sulmin e vrullshëm me granata dore dhe me breshëri të pandërprerë mitralozi të rendë dhe me predha mortaje 81 mm, duke marrë në kontroll kuotat e qytetit dhe duke e detyruar armikun të tërhiqen në brendësi të qytetit të Delvinës, në kala. Në këtë situatë luftimet e bënë me të fuqishme, luftohej shtëpi me shtëpi, rrugicë me rrugicë dhe në disa vende trup me trup. Në luftimet që bëheshin përreth zonës së Delvinës, ra dëshmor më 15.07.1944 në Qafën e Skërficës në luftë kundër gjermanëve edhe Maliq Metushi. Pas çlirimit të vendit u shpall dëshmor i Atdheut me vendim nr. 166, datë 27 dhjetor 1977 të Komitetit Ekzekutiv të Sarandës. Varri i tij gjendet në Varrezat e Dëshmorëve të Delvinës.