Britania e Madhe po tregon çdo ditë e më shumë se është një aleate strategjike e Shqipërisë, duke i qëndruar pranë vendit tonë në çdo kohë dhe mbështetur në fusha të ndryshme, sikundër janë bashkëpunimi në ekonomi, politikë dhe asistenca e vyer në luftën kundër korrupsionit, krimit, emigracionit të paligjshëm, apo deri tek zbatimi i marrëveshjes për transferimin e të burgosurve dhe rikthimi i normaliteti në Kuvend, pas kaosit që ky institucion është përfshirë nga situata e provokuar nga grupi i Bardhit dhe Berishës. Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King-Smith është zëri i Londrës në Tiranë, i cili përveçse ka qenë tejet aktiv, ka dërguar mesazhe të ndryshme për aktorët kryesorë, duke dëshmuar se ai dhe Britania e Madhe që përfaqëson, mbështet zhvillimin, progresin dhe përparimin vendit tonë. Kështu sinjalin e parë diplomati King-Smith e ka dhënë dje, ku përmes një statusi në rrjetet sociale, zbuloi se është takuar me ministrin e Drejtësisë Ulsi, Manja për të diskutuar hapat e ardhshëm të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. “Mbetemi të përkushtuar në zbatimin e Marrëveshjes për Transferimin e të Burgosurve, duke mbështetur shërbimin e burgjeve shqiptare dhe duke punuar së bashku për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Diskutuam gjithashtu mundësitë për forcimin e mëtejshëm të institucioneve të drejtësisë dhe shqetësimet në lidhje me situatën aktuale në Parlament. Theksova nevojën që të garantohet që pikëpamjet e institucioneve të pavarura të zënë vend qendror në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në mënyrë që çdo përmirësim të jetë në interes të të gjithë qytetarëve”, theksoi ambasadori King-Smith, sipas njoftimit të ambasadës britanike në Tiranë.
Kaosi në Kuvend dhe situata politike
Ndërkohë ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith ka zhvilluar një takim me Grupi ndërpartiak i parlamentarëve britanikë në Tiranë. Diplomati King-Smith i ka bërë thirrje politikës në Shqipëri për të rikthyer normaliteti në Kuvend, teksa shton se kaosi dhe tensionet duhet të marrin fund. Madje ai thekson se kjo vizitë duhet të frymëzojë politikanët shqiptarë që të bashkëpunojnë për ta bërë Parlamentin të funksionojë në interes të qytetarëve që votojnë për ta. Ambasadori tregon gjithashtu se përfaqësuesit vizituan projektet tona në Kukës, nisma që po krijojnë mundësi të reja për bizneset dhe të rinjtë. “Ka qenë një kënaqësi e vërtetë të pres këtë javë një delegacion ndërpartiak nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë. Parlamentarët ndoqën një program tejet interesant duke takuar homologët e tyre nga i gjithë spektri politik shqiptar, si dhe vizituan projektet tona në Kukës, nisma që po krijojnë mundësi të reja për bizneset dhe të rinjtë. Vizita tregoi respektin e ndërsjellë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Veç ideve për bashkëpunime të ardhshme që po merr në konsideratë delegacioni britanik, shpresoj që kjo vizitë të frymëzojë politikanët shqiptarë që të bashkëpunojnë për ta bërë Parlamentin të funksionojë në interes të qytetarëve që votojnë për ta”, shkruan ambasada, teksa citon ambasadorin King-Smith.
Ambasadori King-Smith takon kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
Ndërkohë ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith është takuar edhe me kryetarin Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu. “Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ditën e sotme, priti në një takim në zyrën e tij, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, z. Alastair King-Smith. Gjatë takimit, kryetari Spahiu, e njohu Ambasadorin me aktualitetin e institucionit në aspektin fetar si dhe me një sërë veprimtarish konkrete të institucionit në fushën e dialogut dhe harmonisë ndërfetare, arsimit, kulturës dhe përgjegjësisë sociale ndër vite. Ndërsa ambasadori Smith, vlerësoi kontributin e çmuar të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe të komuniteteve të tjera fetare në stabilitetin social të vendit. Po ashtu ai u ndal në emigrimin e të rinjve si një problematikë së cilës duhet t’i jepet zgjidhje sa më parë, pasi modelet e rrjeteve sociale shpeshherë çojnë në vendime të gabuara për të ardhmen e tyre. Takimi vijoi më tej në formën e një bashkëbisedimi të lirë”, theksoi dje ambasada.
Projekti britanik “Perspektiva të reja”, ndryshim i prekshëm për të rinjtë në Kukës
Nga ana tjetër, grupi ndërpartiak i parlamentarëve britanikë u takua pak ditë më parë me të rinjtë në Kukës, ku projekti “Perspektiva të reja”, i financuar nga Mbretëria e Bashkuar, po sjell një ndryshim të prekshëm, njofton Ambasada britanike në Tiranë. “Grupi ndërpartiak i parlamentarëve britanikë pati kënaqësinë të takohej me të rinjtë në Kukës, ku projekti Perspektiva të Reja – New Perspectives, i financuar nga Mbretëria e Bashkuar po sjell një ndryshim të prekshëm. Ata takuan një grup të rinjsh në Hapësirën e Sipërmarrjes Rinore, për të diskutuar mbi planet e tyre rreth të ardhmes së Shqipërisë, duke shfrytëzuar mundësitë në rritje, në turizëm, bujqësi dhe modë. Ata takuan gjithashtu deputetë dhe zyrtarë të lartë të pushtetit lokal për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen dhe se si partneriteti i fortë me Mbretërinë e Bashkuar po i ndihmon ta shohin të ardhmen me shpresë dhe optimizëm. Delegacioni i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar ndodhet në Shqipëri me ftesë të Parlamentit shqiptar për të shkëmbyer pikëpamje dhe ide mbi demokracinë parlamentare”, njoftoi ambasada britanike në Tiranë.
Trafikimi i qenieve njerëzore
Sakaq, Sekretari i Parë Politik i Ambasadës Britanike, Sam Goldbart, mori pak ditë më parë pjesë në tryezën konsultative mbi planin e ri kombëtar të veprimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore, organizuar nga Ministria e Brendshme me pjesëmarrjen e Ministrit Taulant Balla. Përfshirja e Mbretërisë së Bashkuar në takimin konsultativ konfirmon përkushtimin e të dyja Vendeve në luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, shkruan ambasada britanike në Tiranë. “Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të ndihmuar viktimat dhe për të ndaluar kriminelët përgjegjës për vuajtjet e tyre. Inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë të krijojë një sistem institucional të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Plani i përditësuar i veprimit kombëtar është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim”, theksoi Sam Goldbart, sipas njoftimit të ambasadës britanike në Tiranë.