Ish-ministri Damian Gjiknuri është paraqitur ditën e djeshme në dyert e Prokurorisë së Posaçme, ku qëndroi për shtatë orë. Pasi doli nga SPAK, Gjiknuri refuzoi t’iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për arsyet pse ishte thirrur. “Është krejt e zakonshme që të japësh deklarime në prokurori për ngjarje për të cilat ke marrë dijeni gjatë ushtrimit të detyrës”, tha Gjiknuri. “Pse këtu i doni përgjigjet”. Dy janë momentet që e lidhin ish-ministrin me paraqitjen e tij në prokurori. Një prej tyre është kallëzimi për rrugën Tiranë-Elbasan dhe përmendja e emrit të tij në dosjen e Arben Ahmetajt për incerenatorët. Deputeti socialist u paraqit në SPAK edhe të premten e kaluar, kur iu përgjigj interesit të prokurorëve lidhur me një kallëzim të bërë prej tij në 2017 kur ishte ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë pas shkeljeve të konstatuara nga një raport auditi i ministrisë së Infrastrukturës.
Në skaner pasuritë e tij
Gazeta “SOT” ka mësuar se SPAK ka nisur një hetim pasuror ndaj Gjiknurit, nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash. Hetimi mund të mos ketë lidhje me inceneratorët, por burimet thonë se hetuesit po kalojnë në sitë pasuritë e ish-ministrit Gjiknuri, i cili rrezikon të merret i pandehur nëse nuk i justifikon ato. Madje burime bëjnë me dije se rrezikon prangat dhe ish-ministrja Milva Ekonomi, e cila dyshohet se është e përfshirë në disa afera, madje është thirrur edhe në SPAK.
Udhëtimet e dyshimta dhe akuza për llogari të fshehura bankare
E njëjta skemë që SPAK ndoqi për Ahmetajn, pritet të aplikohet dhe për Gjiknurin. Në faktet dhe provat që disponon SPAK të cilat janë gjetur në kompjuterin e biznesmenit në arrati Klodian Zoto rezultojnë dy rezervime hotelesh në Vjenë dhe Frankfurt për Damian Gjiknurin, ish-ministër i Energjisë dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në vitin 2014. Edhe pse ky i fundit i ka mohuar duke thënë se nuk ka fjetur në hotelet e paguara nga biznesmeni i inceneratorëve dhe se është i hapur për t’iu përgjigjur prokurorisë, nëse thirret. Fjalët e tij ishin të njëjtat si me Arben Ahmetajn, i cili disa kohë më parë mohonte çdo përfshirje, madje shkonte deri aty sa deklaronte se nuk i njihte dy biznesmenët.
Ja çfarë thuhet në dosjen e SPAK për Gjiknurin
“Ekziston dyshimi se shtetasit Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri janë takuar. Dhe kanë qëndruar bashkë më datë 08.02.2014 në Frankfurt me shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto,” thuhet në dokumentin e prokurorisë. Sipas fakteve të mbledhura nga hetimi, Zoto ka paguar për Gjiknurin Hotelin Mariot me vlerë 147 mijë lekë. “…emaili i agjencisë xxx me titull ‘hoteli i mr Gjiknuri‘” shkruhet në dokumentin e prokurorisë. “…Ky email më datë 08.02.2014 ora 07.45.51 i është përcjellë nga Damiani emailit të Klodian Zotos,” shkruan më tej prokuroria. Gjiknuri ishte nisur në këtë rast për në Shtetet e Bashkuara në një udhëtim zyrtar. Në rastin e dytë, një hotel në Vienë është paguar në emër të Gjiknurit nga Klodian Zoto. Në këtë udhëtim, Gjiknuri ishte me mision zyrtar.
Negociatat me kompaninë çeke të energjisë elektrike, CEZ për riblerjen nga shteti shqiptar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Por prokuroria thotë se një projekt tjetër nga ana e Zotos dhe Mërtirit ka qenë objekt i bisedimeve. një kontratë koncesionare për instalimin e mbi 1 milionë matësave të energjisë elektrike. Prokuroria vëren se nga informacioni i marrë nga bankat e nivelit të dytë, Zoto bëri pagesa me vlerë mijëra dollarë në një hotel në Vienë. Bashkë me një opsion që sugjeron se ai ka qenë fizikisht atje dhe se karta nuk është përdorur online. Sipas prokurorisë bëhej fjalë për një interes në të cilin ishte përfshirë kompania ITS sh.p.k dhe AE Distribution e shtetasit Gerian Kuka. Si dhe një kompani kineze, me qëllim të shitjes së matësave të energjisë elektrike. Gjiknuri në atë kohë ishte ministër i Energjisë dhe Shqipëria po përjetonte të ashtuquajturën reformë të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë. Që përfshiu burgosjen e mijëra shqiptarëve nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike. Nga sa dihet publikisht, nuk ka të dhëna nëse një projekt i tillë u realizua ndonjëherë. Pra siç e tregojnë faktet që ka në dorë SPAK, Damian Gjiknuri ndodhet në të njëjtat pozita si Ahmetaj, pasi korrupsioni ngelet korrupsion. Dosja po “qepet” mirë dhe ditët në vijim do të priten të tjera “koka”, Gjiknuri dhe Milva Ekonomi janë të parët që rrezikojnë burgun.
Akuzat nga opozita
Edhe opozita akuzon Gjiknurin se fsheh fshihen miliona euro të përfituara përmes korrupsionit. “Sa herë ke bërë pushime në shtëpinë e përfituesit të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, në Maltë. Malta konsiderohet si parajsë fiskale për fshehjen e pasurive. Në mos ke ndonjë shtëpi në Maltë, të regjistruar në emër të dikujt tjetër apo ndonjë llogari të fshehtë bankare të krijuar edhe pas dhënies me koncesion edhe me firmën tënde”. Ata kanë paralajmëruar se këto fakte i kanë çuar në SPAK.