Fushata e nisur e anëtarësimeve në Partinë Socialiste duket se është një shou dhe propagandë. Pak ditë më parë është zhvilluar me dyer të mbyllura Asambleja e PS, kryefjalë e së cilës ka qenë organizimi i partisë dhe anëtarësimet e reja. Vetë kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryeministri Edi Rama dhe drejtuesit e qarqeve ishin fizikisht në seli, ndërsa anëtarët e saj i ndoqën punimet online. Urdhri i Ramës ishte të punojnë sikur zgjedhjet parlamentare të jenë afër, ndërkohë që kërkoi inventar edhe për problemet e qytetarëve.
Si fillim kryesocialisti ka shprehur pakënaqësi dhe ka kërkuar nisjen e një procesi për vlerësimin e anëtarësisë socialiste sa janë aktiv e jo aktiv, e për të vijuar më tej me anëtarësime të reja në çdo organizatë të PS. Dhe mes duket kjo porosi e Ramës është vënë në zbatim, ku në çdo qark, qytet dhe njësi vendore ka nisur fushata e anëtarësimeve. Punëtori më i zellshëm që po reklamon çdo ditë punën e tij për t’i rënë sy kryetarit Rama, është drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit prej kohës kur Rama u dha ultimatum ka nisur takimet në njësitë e Tiranës dhe po ndan tesera partie. Madje kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, njëherazi drejtuesi politik për Tiranën, në një takim që mbajti në kryeqytet, nga ku nuk i fshehu aspak aspiratat e socialistëve për një mandat të 4 qeverisës, zbuloi se objektivi i socialistëve është të arrijnë 400 anëtarësime të reja në PS. Por gazeta “SOT” ka mësuara se “lepuri fle diku tjerë” dhe është zbuluar kleçka e anëtarësimeve në PS. Mësohet se “Rilindja” po u shpërndan teserat e rinovuara “veteranëve” socialistë dhe se nuk kemi të bëjmë me një bum anëtarësimesh të reja, pasi e gjitha është mashtrim.
Spiropali jep detaje
Nga ana tjetër, sa i takon fushtës së anëtarësimeve ka folur dje edhe drejtuesja politike e PS në Shkodër Elisa Spiropali, njëkohësisht ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Kjo e fundit ka zbuluar pas një mbledhje me Asamblenë e PS Shkodër se në këtë qark ka bum anëtarësimesh. Ndër të tjera ajo deklaroi se në Shqipëri nuk ka asnjë diskutim për zgjedhje të parakohshme. Në mbledhjen e Asamblesë të PS Shkodër e zhvilluar në mjediset e Kinema Millenium e sapo rikonstruktuar, i pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë Benet Beci, deputetët Edona Bilali dhe Frrok Gjini, Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni dhe drejtues e përfaqësues të strukturave socialiste. “Një nga porositë e Kryeministrit është që të shtohen radhët e PS jo me anëtarësi fiktive dhe të jemi gati sikur zgjedhjet të mbahen brenda muajit mars, është e gatshme që PS Shkodër t’i plotësojë këto dy porosi?
Ne jemi në proces ripërtëritje, riorganizimi por padyshim që PS është sot më e shëndetshme, më e vendosur, ka një vizion të qartë, ka arritur një fitore në zgjedhjet e 2023 që është e paimagjinueshme, sigurisht edhe me mbështetjen e shoqërisë së gjerë që jo domosdoshmërisht është pjesë e PS dhe ne këtë proces do ta vijojmë. Mund t’ju jap vetëm një shifër domethënëse, procesi i PS nuk është mbyllur në gjithë Shqipërinë por Shkodra figuron sot bashkia e dytë në gjithë Republikën sa i përket anëtarësimeve të reja dhe ne po shpresojmë që të dalim të parët”, deklaroi Spiropali. Pra duket qartë se pas direktivave të kryesocialistit Edi Rama në dy asambletë e mbajtura gjatë këtij muaji, drejtuesit politikë të qarqeve kanë nisur fushatën në terren për anëtarësime të reja në parti.