I ftuar mbrëmjen e djeshme në “Cherry On Top”, me Bora Zemanin, Ilir Shaqiri tha se shumë shpejt do t’i rikthehet televizionit shqiptar, këtë herë me një program krej të tijin. Emisioni, sipas koregorafit të njohur, do të përqëndrohet në talentet e shqiptarëve që jetojnë në diasporë, ndërsa Iliri vetë do të jetë autor dhe moderator i tij.
Programi mban emrin “Yjet Shqiptarë të Diasporës” dhe sigurisht ka si qëllim kryesor promovimin e talenteve të njerëzve, të cilët jetojnë larg atdheut. Iliri bëri me dije po ashtu se çdo i ri i talentuar me prindër shqiptarë, do të ketë shansin të tregojë aftësitë e tij dhe të mund të jetë një yll i të ardhmes, ndërsa u shpreh:
“Ne jemi një popull që vlejmë dhe këtë po e demonstrojmë sot më shumë se dikur. Çdo njeri që ka një baba, nënë (shqiptar/e), ose që ka lindur në Shqipëri dhe më vonë, jeta e ka përplasur përtej kufijve, do të ketë shansin e jashtëzakonshëm që të prezantohet në të gjitha ato që janë gjinitë e artit skenik; të tregojë vetveten dhe atë që dëshiron të jetë një ditë. Ndoshta, pse jo, të jetë edhe një figurë primare në Top Channel. Këtu do të bëhet një super finale, me talente nga e gjithë bota…”
Puna mesa duket do të jetë e madhe për fituesin e “BBVIP1”, pasi do të shkojë në qytete të ndryshme të Europës dhe në SHBA, pikërisht për të identifikuar të rinjtë me origjinë shqiptare, ndërsa talentet e tyre mund t’i përksain: kërcimit; interpretimit skenik; muzikës e këngës dhe të tjera kategori, gjithmonë në art.
Pjesëmarrësit potencialë do të mund të aplikojnë përmes plotësimit të formularit dhe dërgimit të një videoje, duke shpalosur aftësitë e tyre në gjininë dhe zhanerin në të cilin janë të interesuar dhe më pas do të nisë puna në terren për Shaqirin dhe ekipin e tij. Shumë suksese!