Tik Tok mund të jetë platforma e zgjedhur për video tërheqëse, por kushdo që e përdor atë për të mësuar rreth COVID-19, ndryshimet klimatike ose pushtimin e Rusisë në Ukrainë, ka të ngjarë të ndeshet me informacione të rreme, thuhet në një raport kërkimor të botuar javën që lamë pas.
Studiuesit në News Guard kërkuan përmbajtje rreth temave të spikatura të lajmeve në Tik Tok dhe thonë se zbuluan se gati 1 në 5 nga videot e sugjeruara automatikisht nga platforma përmbanin dezinformata.
Kërkimet për informacion rreth “vaksinës mRNA”, për shembull, dhanë pesë video (nga 10 të parat) që përmbanin dezinformata, duke përfshirë pretendime të pabaza se vaksina COVID-19 shkakton “dëmtime të përhershme në organet kritike të fëmijëve”.
Studiuesit që kërkonin informacione për abortin, zgjedhjet e vitit 2020, kryengritjen e 6 janarit në Kapitolin e SHBA-së, ndryshimin e klimës ose pushtimin rus të Ukrainës, në TikTok gjetën video të ngjashme mashtruese të shpërndara mes videove më të sakta.
Sasia e dezinformatave dhe lehtësia me të cilën mund të gjenden është veçanërisht shqetësuese, duke pasur parasysh popullaritetin e Tik Tok tek të rinjtë, sipas Steven Brill, themelues i News Guard, një firmë që monitoron dezinformatat.
Tik Tok është domeni i dytë më i popullarizuar në botë, sipas kompanisë së performancës dhe sigurisë në internet Cloudflare, i tejkaluar vetëm nga Google.