BREAKING NEWS

Ilir Demalia plas “bombën”, Sali Berisha do të lirohet, ja dy njerëzit që po përdor ish-kryeministri për të mbyllur pazaret e tij të pista, si po hidhen miliona euro në prapaskenë

Ilir Demalia plas “bombën”, Sali Berisha do të lirohet, ja
x
BREAKING NEWS

Romeo Kara paralajmëron zhvillime të forta: Ja politikani i njohur që do të arrestohet nga SPAK, lidhjet e tij me personazhet e botës së krimit që u fundosën nga Prokuroria e Posaçme dhe detajet si ka pastruar pasuri marramendëse

Romeo Kara paralajmëron zhvillime të forta: Ja politikani i njohur
x
BREAKING NEWS

Detajet e plota nga megaoperacioni i SPAK, si u zbardhën aleancat mafioze, nga pakti i Martinajt me Ben Ndokën dhe Shullazin për të vrarë Durim Bamin, te planet e të “ fortit” të Niklës me Dukajt për eliminimin e bosit të lojërave të fatit dhe ish-depu...

Detajet e plota nga megaoperacioni i SPAK, si u zbardhën aleancat mafioze,
x
BREAKING NEWS

Dosjet përvëluese të francezeve dhe belgëve do të godasin të tjerë zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, politikanë dhe gazetarë,  SPAK sekuestron telefonin e një zyrtari të lartë, ja skandali ku është përfshirë

Dosjet përvëluese të francezeve dhe belgëve do të
x
BREAKING NEWS

Politika, media dhe bizneset të mbushura me spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit, KGB dhe UDB, ja si po shantazhohen e kërcënohen me dosjet e “zeza” personazhet “VIP”, Lulzim Basha zbardh kulisat më të fundit

Politika, media dhe bizneset të mbushura me spiunë të
x
BREAKING NEWS

Kreu i Nismës Thurje Endri Shabani flet hapur, nga pazaret Rama-Berisha kundër drejtësisë dhe shqiptarëve, te arsyet pse ka vendosur të hyjë në politikë, vizionet që ka për të ardhmen e Shqipërisë dhe planet e tij për të promovuar zhvillimin ekonomik t...

Kreu i Nismës Thurje Endri Shabani flet hapur, nga pazaret Rama-Berisha
x
BREAKING NEWS

Shqipëria bazë për klandestinët, pas Melonit dhe kryediplomati britanik kërkon ofertë si ajo e Shëngjinit për emigrantët e paligjshëm që shkojnë në Britani, ja detajet e vizitës

Shqipëria bazë për klandestinët, pas Melonit dhe
x
BREAKING NEWS

Qeveria në panik pas thirrjes së Belinda Ballukut dhe Engjëll Agaçit në SPAK, 17 vendimet që rëndojnë pozitat e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, dëshmitë e tyre kundër Erion Veliajt, mazhoranca në kaos

Qeveria në panik pas thirrjes së Belinda Ballukut dhe Engjëll
x

Opinion / Editorial

80 vjetori i dëshmorit të lirisë Asim Mero

80 vjetori i dëshmorit të lirisë Asim Mero

Asim Mero lindi në 1892 në lagjen Dunanat i dytë Gjirokastër. Babai i Asimit, Ymer Efendiu,mori pjesë aktivisht në kuvendin historik të Prizrenit në Ergjëri, më 1880, organizuar nga Abdyl Frashëri.
Asimi mbaroi shkollën fillore në shkollën e parë shqipe në Gjirokastër, e cila u hap në Dunavat më 1905 nga patrioti Mesut Çami, mësimet jepeshin nga Xhafo Poshi, i cili kultivoi tek nxënësit ndjenjat e thella patriotike. Më vonë Asimi vazhdoi shkollën Zosimeja deri në vitin 1911, prej të cilës u pais me njohuritë e përparuara të kohës.
Në 1914 Gjirokastra pushtohet nga andartët grekë. Paria e Gjirokastrës e dërgojnë Asim Meron me një letër për për të kërkuar ndihmënë Qeverinë e Vlorës.Ushtarët e grekë e kapin Asimin në Fushbardhë dhe e burgosin në kalanë e Gjirokastrës. E torturojnë djaloshin, por Asimi nuk u thye. Me ndërhyrjen e parisë së Gjirokastrës del nga burgu dhe vazhdon luftën kundër andartëve me çetën e Çerçiz Topullit në Manastirin e Cepos e deri në Qafën e Skërficës.
Asim Mero arrestohet përsëri në vitin 1932, me grupin antizogist të Vlorës, dhe për herë të tretë arrestohet në kryengritjen e Fierit në vitin 1935. Pavarësisht torturave, të rinjtë revolucionarë, që simpatizonin lëvizjen antizogiste, mbajtën një qëndrim burrëror përpara torturave. Mustafa Kaçaçi u bë qendra e Gjyqit Politik, ai deklaroi në gjyq, se ishte komunist dhe e kishte marrë pushkën kundër regjimit për të çliruar punëtorët dhe fshatarët. Kjo deklaratë, u prit me shumë simpati dhe u komentua në masën e gjerë të popullit. Nga Gjirokastra u dënuan me vdekje: Selim Kokalari, Ramiz Omari. Me 101 vjet u dënua Durham Qadhimi.Me 15 vjet burgim u dënuan Asim Mero, Rasim Babameto, Muhedin Hoxha. Galip Omari u dënua me 9 vjer burg, të tjerë me dënime më të vogla.
Kundër terrorit zogist, opinioni demokratik brenda dhe jashtë vendit, organizoi protesta ndaj qeverisë së Zogut. Komisioni i krijuar nga Halim Xhelo, në Paris dhe Gjenevë, botonte shpallje në disa gazeta të vendeve të ndryshme, për mbrojtjen e viktimave të regjimit dhe për të ndihmuar të akuzuarit kryengritës, duke u bërë thirrje emigrantëve shqiptarë të formonin komisione në opinonin publik evropian. Komisioni u dërgoi telegram proteste qeverive franceze, angleze dhe Lidhjes së Kombeve. Në të thuhej: ”Kërkojmë lirimin e tërë të burgosurve politikë dhe pa përjashtim. Dyert e burgjeve të regjimit duhen thyer.”


Më 3 mars 1936, protestonte “Lidhja franceze kundër imperializmit dhe shtypjes koloniale”, ajo kërkonte lirimin e të gjithë të burgosurve që prej vitesh mbaheshin nëpër burgje, shumica e të cilëve përbëhej prej burrash nga më të shquarit, që kishin luftuar kundër arbitrariteteve e terrorit”.
Pas dy vjet burgim, në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, nga amnistia përfiton edhe Asim Mero, i cili lirohet nga burgu.Asim Mero e përjetoi emocionalisht kryengritjen e Fierit dhe arrestimin e tij të tretë, si ngjarje të madhe politike me karakter të theksuar klasor, që do të ushtronte ndikim të madh në forcimin tij botëkuptimor.
Pushtimi i qytetit nga fashistët italianë, solli revoltimin dhe rezistencën antifashiste të popullit. Asim Mero dhe patriotët e tjerë gjirokastritë, e pritën me indinjatë pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Sekretari i Përgjithshëm i Luogotencës, Piero Parini, më 13 janar 1940 njoftonte: “Në Gjirokastër është organizuar një manifestim antiitalian”.Në një mëngjes nëntori të vitit 1941, në rrugët e qytetit ishin gjetur trakte, që lajmëronin krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare në Gjirokastër, kishte marrë zhvillime masive. Në çdo lagje ishin krijuar grupet edukative si mbështetje e fuqishme e Frontit Nacionalçlirimtar. Dunavati, terren i përshtashëm për luftën ilegale, ishte kthyer në një vatër antifashiste. Grupi edukativ i të rriturve, i cili përbëhej nga Shaban Mero, Omer Mero, Kapo Kaçi, Skënder Braja, Fejzo Kasi, Muzafer Kotroçi, etj. të drejtuar nga Haxhi Doraci, përballoi detyra për të ndihmuar lëvizjen antifashiste.


Ilegalja dhe partizania e ardhshme, Nurie Çiço, mes shumë emrave dhe bazave ilegale, kujtoi edhe familjen e Adetit, gruan e Asim Meros: “Atje ndjehesha e sigurtë dhe shpesh gdhiheshim së bashku me Bulen. Në mëngjes dilnim vonë nga shtëpia veç e veç, të shoqëruara nga Adeti, si për të bërë ndonjë psonjë dhe ashtu heshturazi shkonim në shtëpi. Një natë zhurmat në lagje nuk pushuan, Adeti ndjehej shumë e shqetësuar. Në mëngjes më veshi një fustan të vjetër mbi fustanin tim, më lidhi shami të zezë në kokë nga ato që lidhin gratë e moshura e plakat gjirokastrite, dhe më përcolli tek shtëpia e një kushëriri, për të mos rënë në sy shtëpia ime. Piu një kafe dhe u largua, sikur kishte adhur për gjitonllëk.”
Më 28 nëntor 1941, me rastin e ngritjes së flamurit, u organizua manifestimi i madh nga nxënësit e shkollave. Kuestori i Gjirokastës më 3 dhjetor 1941, njoftonte Prefekturën për demostrimin patriotik të nxënësve të Liceut. Të tilla demostrime, të mbështetura edhe nga rina e qytetit, u organizuan nga nxënësit dhe mësuesit edhe në mars të vitit 1942. Pas manifestimit të Mashkullorës, u thirrën në kuesturë shumë nxënës dhe u bënë arrestime për të zbuluar organizatorët e këtij manifestimi. Mes tyre u thirr edhe Asim Mero, djemtë e të cilit kishin qenë pjesëmarrës në manifestim. Asimi e trajtoi pjesëmarrjen e djemve në Mashkullorë, si të rastësishme, vizitë te miqtë e babait të tij, pranë të cilëve kishin arat. Duke qenë se Asimi bënte pjesë në administratën e bashkisë, problemi u mbyll shpejt.


Në prill të vitit 1942, me organizimin e njësiteve guerile, në qytet u intesifikuan edhe veprimet luftarake. Nuk është e rastit që sapo lindi dhe u organizua Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare, Asimi u rreshtua menjëherë dhe trimërisht në radhët e saj, duke marrë pjesë aktive në rezistencën antifashiste në luftën pakompromis kundër pushtuesit të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tij. Asimi do të fitojë një emër popullor e të respektuar në opinionin gjirokastrit dhe do t’i besoheshin detyra të rëndësishme në shërbim të kauzës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai do të zgjidhej në forumet drejtuese të rezistencës që bënte populli i vendlindjes së tij.
Pas vrasjes së Muzafer Asqeriut, në mesin e tetorit 1942, në Shpellat e Mëdha u bë Besëlidhja e dunavatasve. Nga çdo shtëpi shkuan burrat e rritur: Muharem Gjoksi, Laze Kasi, Faik Demo, Sudur Ponde, Nebi Beqo, Omer Mero, Muzafer Kotroçi, Lifto Braja, etj. Dunavatasit dhanë fjalën e lidhën besën, se do të luftojnë pa kursyer as jetën kundër pushtuesit të vatanit deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Gjithë dunavatasit u hodhën me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ndërkohë familja Mero ishte kthyer një nga bazat më të rëndësishme të Luftës Antifashiste në lagjen Dunavat. Agim Mero në kujtimet e veta do të shkruante: ”Në shtëpinë tonë filluan të hynin e dilnin vajza e djem të rinj nga familje të njohura gjirokastrite. Më shpesh nga të tjerët vinte Nurie Çiço, Bule Naipi, Shemsi Totozani e më rrallë Bedri Spahiu, Munir Karagjozi, Flamur e Tore Nishani, Violeta e Halil Alite. Ata vinin krejtësisht kur errësohej dhe, ose iknin pa rënë nata mirë ose flinin tek ne. Zakonisht rrinin veç, në odanë tonë të madhe. Adeti u çonte ndonjëherë çaj, ose ndonjë gjë për t’u ngrohur e, kur kthehej në vatër tek ne, thoshte: “Japin e marrin dhe këta, po të shohim çdo të nxjerrin!” Fshehtësia me të cilën vinin në shtëpinë ton këta djem dhe vajza, porosia që na jepte nëna, Adeti, ne të vegjëlve, që se mos i thoshim njeriu, se kush erdhi e kush nuk erdhi, ma shtonin më shumë kureshtjen për të mësuar se ç’po ndodhte. Më pas mësova, se të gjithë këta kishin një emër të përbashkët ilegalë antifashistë.


Mbaj mend se nëna, kishte merak e shqetësohej për ata, veçanërisht për vajzat. Kur bisedonte me ndonjë të afërm e dëgjoja që thoshte: “Mirë, djemtë, po këto ditëshkurtëra ç’duan?” Keqardhja për to e bënte Adetin më të dashur e më të dhimbsur se ç’ishte. Ajo deri sa vdiq, i kujtonte me dashuri e kënaqësi të veçantë e herë pas here na pyeste: “E keni parë gjë Nuren, ç’bëhet? Po Toren?” Po Violetën, që i fekste siri binadalës! Mbi të gjitha ajo nuk harronte Bule Naipin, të cilën disa ditë para se ta arrestonin e përcolli deri tek porta me një copë bukë e djathë e, duke e përqafuar i tha: “Bule të keqen, ki mendjen e ruaj kokën, se janë kohë të liga”.
Për veprimtarinë revolucionare,ngritjen kulturore, fjalën e mençur dhe vlerat e larta të karakterit, Asim Mero u zgjodh kryetar i këshillit të lagjes Dunavat i II.Veprimtaria aktive e Asim Meros, vuri në lëvizje dhe në ndjekje policinë kuislinge, por ai qëndroi duke i bërë ballë trimërisht persekutimeve të armiqve.
Mbështetur mbi taktikën e re, të marrjes së pushtetit vendor, “pa ndërhyrjen e italianëve”, ballistët arrestuan 41 intelektualë gjirokastritë. Komanda e operacionit të Ballit Kombëtar, më 20 korrik 1943, i nis prefekturës Gjirokastër listën e të arrestuarveme 41 veta: Xhevat Kallanxhi – kryetar bashkie, Skënder Gjoça – Sekretar i parë i Bashkisë, Vasil Laboviti – Drejtor i spitalit, Asim Mero –llogaritar i bashkisë, Arshi Çabej – mësues, Neshet Jupi – mësues, Hiqmet Toro – ndihmës sekretar gjyqi, Nezir Fico – mësues, Zeir Loloçi, Kristaq Çabeli, Sulo Puto, Veliko Malile, Kadri Loloçi, Naxhi Totozani, Kozma Vasili, Kristaq Çabeli, Veliko Malile, Koço Papagjika, Sefedin Hadëri, etj.Arrestimet e antifashistëve në Gjirokastër, sollën revolta të banorëve të qytetit, të cilët protestuan para prefekturës dhe bashkisë.


Në arkivin Qendror të Shtetit ndodhet edhe ankesa e të burgosurve drejtuar Mëkëmbësit të Përgjithshëm, Kryetarit të Qeverisë Shqiptare dhe Ministrit të Brendshëm: “Më datën 20 të këtij muaji, në mes të natës jemi arrestuar e burgosur nga organet e karabinerisë italiane duke ndenjur të qetë në shtëpitë tona në Gjirokastër. Jemi të gjithë nëpunës të tregtisë dhe e kemi ndërgjegjen e qetë, se nuk kemi asnjë faj. Burgimi ynë është krejt pa bazë dhe trajtimi që na bëhet, sikur jemi kafshë, është antinjerëzor dhe në kundërshtim me parimet ligjore, gjë që nuk i bën aspak nder një shteti të qytetëruar. Na kanë sjellë nga burgu i Gjirokastrës në këtë të Vlorës si shtazë të egra dhe na mbajnë bashkë me kriminelët. Bëjmë apel dhe në qoftë se ka drejtësi, kërkojmë lirimin tonë.”
Për përkushtimin ndaj Luftës Nacionalçlirimtare dhe autoritetin e tij të padiskuteshëm, Asim Mero, i kthyer në qytet, pas burgimit, zgjidhet përsëri anëtar i këshillit Nacionalçlirimtar të qytetit, me detyrën për administrimin e bazës materiale që do të ishte në mbështetje të Luftës Nacionalçlirimtare. Asim Meros, si një nga bazat e rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ishte ekspozuar dhe pritej gjithçka nga reaksioni gjermano-ballist.
Në Dunavat një turmë ballistësharrestuan 30 simpatizantë të Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare në qytet, mes tyre edhe Asim Mero dhe i shpunë në Lazarat. Neshat Kolonja, që drejtonte forcat e Ballit, ishte mik me Asimin qysh para luftës, e ndihmoi fshehurazi, duke e liruar dhe e porositi që të kishte kujdes, se e kishin vënë në shënjestër.

Pas dështimit të Operacionit të Dimrit, ballistët kishin programuar arrestimet e popullit të Gjrokastrës, mes tyre edhe shumë gra. Më 4 prill 1944, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Tahir Kolgjini, i dërgon Drejtorisë së Policisë urdhrin: “Jemi informuar, se disa nëpunës të arratisur bajnë pjesë në Partinë Komuniste: Azis Hoxha, Siri Shapllo, Zia Shapllo, Shemsi Totozani, Faro Xhango, Reshat Çani, Hasibe Çani, Nebaet Bakiri, Naxhije Hoxha, Selaudin Çene, Niko Kekezi, Pano Shufi, Gaqe Meksi, Irfane Çoçoli, Lipe Tola, Lefter Dilo, Ferik Spahija, Nimet Selimi, Kadri Baboçi, Zihni Sako, Qemal Karagjozi. Të bëhen hetime t’imta rreth këtyre personave dhe në raste pozitive të arrestohen dhe t’i jepen gjyqit për mbrojtjen e Atdheut.”


Në pamundësi të arrestimeve të planifikura, sepse këta kishin dalë partizanë, Balli Kombëtar kishte vendosur t’i përgjigjej Qarkorit të Partisë Komuniste për Gjirokastrën me një masakër mbi antifashistët që kishin në burg, për të tronditur qytetin, me shpresë se do ta paralizonte forcën goditëse të Frontit Nacionalçlirimtar. Për aktivitetin e tij revolucucionar dhe qëndrimin e vendosur në anën e forcave të Frontit Nacionalçlirimtar, ballistët e kishin burgosur Asim Meron qysh në fillim të vitit 1944: Flamur Karagjozi - marangoz, Asim Mero - nëpunës, Reiz Selimi –punë vetiake, Merkur Mero, nxënës, Faslli Lulo - ish kapter, Sadik Çelo –nëpunës, Braho Toto – nëpunës, Qani Kulmbullaj – shofer, Halil Toto, tregtar, Nuredin Topulli – nxënës, Laze Selimi – këpucbërës, Faik Kokalari- nëpunës banke, Tahir Tauzi- motorist, Asaf Peshkëpia - mësues, Mete Gjini – bari, Nase Bashari, Myfit Sejdo, Bardha Topulli, Rexhep Shameti, Myftar Kotroçi, Feti Sazani, Nedret, Hoxha, Naxhije Hoxha, Aleksandra Papajani, Naire Kokalari, Efterpi Lula, Nasibe Kokalari, Elena Bashari, Shefiko Bakiri, Tefta Babameto, Nedret Kaçi, Mine Baboçi, Alije Xhiku, Sie Kokalari, Qibrie Nesho, Xhane Roshi, Xhafer Seldo, Neshet Nishani, Ajaz Karagjozi, Thanas Zoga, etj.


Profesor Ali Xhiku kujton: “Në shtëpinë tonë erdhën për të arrestuar nënën, por meqënëse ajo ishte shtatzanë me mua, ata thanë: “Ç’ta duam këtë, apo të na mbetet në dorë”, dhe morën gjyshen, Ajlie Xhikun. Nëna më tregonte se gjyshja shante dhe mallkonte ballistët, por ata e hoqën zvarrë deri në kala”.
Asimi dhe Mërkuri, ishin arrestuar qysh në mars 1944. Kasëm Kaçi, në librin e tij ka shkruar: “Ismail Golemi, pasi i kishte torturuar në klasat e gjimnazit, u kërkoi të burgosurve të nënshkruanin një proklamatë kundër lëvizjes Nacionalçlirimtare. Pasi nuk pranuan, të arrestuarit i çuan në burgun e Gjirokastrës.” Në burg qenë 160 të burgosur. Dëshmitarë të ngjarjes kanë treguar: “Komandanti i Ballit Ajdin Mataj vetë i shtatë, i kishte kërkuar drejtorit të burgut, t’i dorëzonte sipas listës 41 të burgosur për t’i transferuar në Delvinë. Ajdini ngulte këmbë, se kishte urdhër nga Ismail Golemi dhe tregoi urdhërin. Drejtori i burgut refuzoi.... Tek dera e burgut, gardiani M. S. thirri emrin e Reiz Selimit. Pas pak gardiani erdhi dhe thirri emrin e Laze Selimit, nipit të Reizit. Kjo praktikë, një nga një, në mesin e natës, i vuri në dyshime të burgosurit. Erdhi përsëri dhe thirri emrin e Sadik Çelos. Sadiku i tha se punët bëhen ditën dhe jo natën. Ndërkohë, Reis Selimi, një trup i fuqishëm, që u kishte shpëtuar ballistëve, i gjakosur, hyri deri tek dritarja me hekura e derës së burgosurve dhe u foli: “Po na vrasin, duan t’u vrasin, mbyllni derën!” Ndërkohë u dëghua krtisma dhe Reizi ra para dritares së të burgosurve.
Në këtë kohë përpara zyrave të Prefekturës protestonin një grup grash gjirokastrite. Ballistët, nga frika e popullit që po afrohej në kala, arritën të merrnin vetëm katër veta, dhe me shpejtësi i masakruan me thika tek dera e kalasë, ndoshta për të mos u dëgjuar krismat. Ballistët kërkonte të përsërisnin masakrën e 4 shkurtit në Tiranë. Në hyrje të kalasë ngodhet kjo pllak: “Në këtë vend më datën 23 prill 1944 janë vrarë barbarisht nga okupatorët dhe tradhëtarët e vendit: Asim Mero, Reis Selimi, Laze Selimi dhe Reshat Sufati”. Mbetet një akt i madhërishëm vetësakrifikimi i Reiz Selimit, i cili edhe pse i gjakosur nga thikat e ballistëve, për vet konstruktin e fuqishëm fizik, mundi t’u shpëtonte nga duart dhe të vraponte në errësirë drejt shtëpisë, e cila ishte vetëm 100 m.larg. Reizi s’mendoi për jetën e tij, mendoi për shokët, edhe pse e dinte, se do ta vrisnin, sepse ballistët po e ndiqnin brenda korridorit të kalasë me ulërima,.


Ditën e masakrës, më 23 prill 1944, Ismail Golemi informon zyrtarisht gjyqtarin hetues të ngjarjes me emrat që kanë kryer bashkarisht masakrën:“Bashkangjitur ju dërgoj shkresën, e cila ban fjalë mbi kryerjen nga burgu të katër të burgosurve që u ekzekutuan tradhtisht. Njoftojmë se Servet Bequa, Alem Roshi, Ajdin Matua, Ruhi Runa dhe Bahri Samunda nga Berati, kanë qenë të inkuadruar në këtë organizatë.”
Masakrën e burgut, e ka dokumentuar edhe gjenerali nazist Fitzthum, Kryetar i Shtabit pranë Komandës së Qarkut Gjirokastër, më 4 maj 1944. Ai i dërgon Komandantit të Policisë Tiranë: “Kapiten Scholzmë raporton, se i vëllai i Idriz Jazos me anë të një dokumenti fals, ka hyrë në burgun dhe ka nxjerrë katër shqiptarë të rreshtuem si të dyshimtë dhe pa ndonjë autorizim i ka vra.” Sikundër shihet, Gjenerali Fitzthum që kishte projektuar masakrën prej 41 vetash, fikson si autor të masakrës, Idriz Jazon.
Asim Mero do të ishte një nga përfaqësuesit e brezit të ri të intelektualëve gjirokastritë. Kronika shumë e pasur e jetës së tij, dëshmon qartë lidhjen dhe aktivitetin tij për kauzën e lirisë së atdheut. Asim Mero nuk ishte vetëm njeri i aksionit, por edhe intelektual sypatrembur, i ushqyer e i formuar me idealet e Rilindjes, për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur. Për këtë arsye Asim Mero u persekutua dhe u burgos gjashtë herë nga regjimet e kohës si element i rrezikshëm.