Gabimet e tjetrit mos t’i vëmë përpara që t’i shohim, e gabime tona mbrapa që t’i fshehim. T’i përballojmë mëritë dhe hasmëritë e së kaluarës dhe të përqendrohemi në ndërtimin e së ardhmes. Të investojmë në kuadro me guxim intelektual, me maturi politike dhe shkathtësi diplomatike. Duke dhënë votën tuaj, ju do t’i përgjigjeni pyetjes se ku do të jetë Shqipëria nesër. Prej jush pritet që të votoni për shtetin juridik, i cili, në kuptimin e mirëfilltë të tij, shprehet me nënshtrim të organeve shtetërore drejtësisë; me barazi të të gjithëve para ligjit; me gjyqësi të pavarur; me procedurë të paanshme; me ekzistim të mjeteve efikase për mbrojtjen e shtetasve; me mbështetje juridike dhe kontroll të akteve administrative dhe me mbikëqyrje të organeve administrative dhe përgjegjësi të tyre për punë të paligjshme që, në fakt, paraqesin komponentët themelore të parimit të ligjshmërisë, një parimi të pashmangshëm në të gjitha shtetet ku sundon e drejta dhe drejtësia. Prej jush pritet që me votën tuaj të përcaktoheni për vlerat e shtetit juridik, të cilat do të mund të siguroheshin:me rend në ndërtimin e sistemit shumëpartiak; me ndarje të pushtetit; me përkufizim të pushtetit shtetëror dhe të së drejtës; me treg të lirë; me pronësi private, etj.
Prej jush pritet që të keni ndjenjën se shteti pa pushtet nuk mund të ekzistojë, por se edhe ushtrimi i pushtetit nëpërmjet partisë është në parim në kundërshtim me çfarëdo forme të ekzistimit të demokracisë. Prej jush pritet që nga e kaluara të keni kuptuar se pa rendin e ri demokratik nuk mund të bëhen ndryshime të mëdha sistemore në funksionin e shtetit, i cili do t’i përgjigjej ekonomisë së tregut dhe mëvetësisë së subjekteve ekonomike, në njërën anë, dhe njëkohësisht, mbrojtjes së demokracisë politike, në anën tjetër. Ushqehem me shpresë se e keni kuptuar peshën e problemit që e rëndon sot popullin dhe kombin shqiptar. Ajo do të duhej të angazhohej fuqishëm për pozitën e shqiptarëve jashtë kufijve të tashëm administrativë të saj. Çështja e pazgjidhur shqiptare paraqet sot një prej problemeve qendrore në Ballkan. Nëse ka të vërtetë në këtë gjykim, atëherë përfundimi është i qartë: pa një zgjidhje të pranueshme të çështjes shqiptare nuk do të mund të ndërtohet paqe në Ballkan.
Ballkani vazhdon të drejtohet nga jashtë, ndërsa brendapërbrenda tij janë të mundshme konflikte natyrash dhe intensitetesh të ndryshme, për shkak të kryqëzimit të shumë interesave politike në të. Prandaj, shqiptarët, duke mos qenë të rrethuar me fqinjësi të mirë duhet të mendojnë për ndërtimin e ardhmërisë së tyre. Puna e parë që do të duhej të bënin shqiptarët është që ta vështrojnë dhe ta shtrojnë çështjen shqiptare si një dhe të bashkuar. Po qe se këtë nuk e bëjnë shqiptarët, nuk mund të pritet që përpara tyre, ta bëjnë të tjerët. Madje, edhe po qe se e bëjnë të tjerët, do ta bëjnë përpara në dëm të tyre se sa në interes të tyre. Është detyrë juaja që Shqipërinë ta nxirrni nga një udhëkryq në të cilin është ndodhur. Demokracinë Shqipërisë nuk mund t’ia sjellë askush tjetër, përveç se populli i saj. Secili shtet e ndërton demokracinë në pajtim me mundësitë që krijon dhe para së gjithash, me shkallën e vetëdijesimit të popullit, për ta kuptuar dhe, për ta ndërtuar atë në jetën e vet. Standardet demokratike të një vendi ose të më shumë vendeve nuk mund të vlejnë si standarde të përgjithshme për të informuar vendet e tjera. Shqipëria ndien nevojën për demokracinë shqiptare.