Fatkeqësisht ka mbetur nga periudha komuniste, si një rregull i ngurtë, ideja sipas së cilës po të jesh shkencëtar, pranues i shkencës, i zbulimeve dhe i arritjeve të saj në përgjithësi, nuk mund të besosh çfarë thonë Bibla dhe Kurani. Nën diktaturë Fjala e Zotit ishte e përjashtuar nga shkollat, nga institucionet shtetërore, nga krejt shoqëria. Në zbatim të direktivës ateiste të Karl Marksit „Feja është opium për popullin”, eliminimi fizik, pra prishja më 1967 në Shqipëri e kishave, xhamive dhe teqeve, e këtyre „farmacive” me „ilaçe” për kurimin e shërimin e shpirtit, synonte, ndër të tjera, fuqizimin e regjimit politik, sepse, duke mos ditur çfarë ishin institucionet fetare, brezat e rinj do të besonin që Perëndi në Qiell e në Tokë ishte Partia.
Në rast se do të studiojmë historinë e shkencës dhe do të citojmë shkencëtarët e mirëfilltë, të të gjitha kohërave, të cilët kanë bërë zbulime dhe shpikje me vlera të pallogaritshme për njerëzimin, do të befasoheminga fakti që një numur i madh i tyre kanë besuar në ekzistencën e Zotit, madje nuk kanë qënë të pakët ata qëmbahen mend si besimtarë të përkushtuar e praktikantë të fesë.
Në përpjekje për të gjetur të dhëna në mbështetje të kësaj teme, qëmtova dhe veçova disa nga emrat e dijetarëve të famshëm, veprat e të cilëve mbulojmë një gamë relativisht të gjerë e të larme fushash:
Johannes Kepler (1571-1630)
Është cilësuar si „njeriu që filloi procesin, me anën e të cilit supersticioni u zëvendësua nga logjika”, falë veprës së tij madhore në astronomi. Ai e pranoi Zotin si „Krijuesin vullnetmadh që, nga asgjëja, i dha jetë natyrës”. Ligjet që zbuloi për lëvizjen planetare, Kepleri i quan rezultat të besimit të tij në Zotin e rregullit dhe jo të kaosit. Në librin „Harmonia e botëve”, botuar më 1619, Kepleri ka shkruar: „I madh është Zoti ynë, e madhe është fuqia e Tij dhe mënçuria e Tij është e pafundme… Zoti është i lavduar edhe në astronomi, ngaqë qiejt flasin për lavdinë e Tij”.
Robert Boyle (1627-1691). Si pionier i kimisë moderne, ai ka bërë shumë zbulime të famshme, një nga të cilët mban emrin e tij. Robert Boyle nuk shihte ndonjë kontradiktë ndërmjet shkencës dhe besimit fetar të krishterë. Ka qënë admirues i flaktë i Jezus Krishtit.
Sër Isaac Newton (1642-1727). Ka qënë njënga shkencëtarët më të mëdhenj, autor i shumë shpikjeve,ndër tëcilat ligjet e gravitetit, ligjet e lëvizjes dhe përllogaritjes matematike. Ai e ka dashur Zotin dhe ka besuar në fjalën e Zotit. Ja si shprehet Newton-i: „Kam bindjen e patundur që Bibla është Fjala e Zotit… Ateizmi nuk ka kuptim. Kur hedh sytë në sistemin diellor, shoh se Toka ndodhet në largësi të përshtatshme nga dielli për të marrë sasinë e duhur të nxehtësisë dhe të dritës. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur rastësisht”. Gjatë këqyrjes së lëvizjes së planeteve, Newton-i dalloi aty dorën e Zotit dhe u shpreh: „Ky sistem i jashtëzakonshëm i diellit, i planeteve dhe i kometave mund të burojë vetëm nga këshilla dhe nga sundimi i një Krijese Inteligjente… Kjo Krijesë qeveris të gjitha gjërat, është Zot i të gjithëve”.
Michael Faraday (1791-1867). Është pionier në fushën deri atëhere të panjohur të elektricitetit dhe shpikës i gjeneratorit, i transformatorit dhe i motorit elektrik. Kishte besim të palëkundur në Zot, madje ka predikuar Ungjilin. Kur një reporter e pyeti se çfarë mendonte për Pasvdekjen, Faraday iu përgjigj: „Di në çfarë kam pasur besim dhe jam i bindur që Ai ka fuqi të mbrojë atë që kam besuar deri në atë ditë”.
Samuel Morse (1791-1872). Shpiku telegrafin dhe Kodin, që i mban emrin. Fjalët e mesazhit të parë telegrafik, qëu transmetua zyrtarisht, u zgjodhën nga Bibla: „Sa gjëra të mëdha ka bërë Zoti!” Duke iu referuar arritjeve të veta, Morse i ka quajtur ato vepër të Zotit: „Është vepra e Tij”. Morse nuk ka vërejtur ndonjë konflikt midis shkencës dhe besimit në Zot.
Matthew Maury (1806-1873)/. Ka qënë një figurë ballore në fushën e oqeanografisë dhe hidrografisë. Ka shkruar shumë libra, disa prej të cilave janë bërë tekste universitare. Ka mbështetur fuqimisht projektin e Kabllit Transatlantik – realizimi i parëmadhor në komunikimet botërore. Ai pranonte autoritetin e Zotit dhe ia kushtonte arritjet e veta pikërisht Atij „që është krijuesi i gjithçkaje në Tokë e në det”. Pati individë që e kritikuan sepse përdorte fjalë nga Shkrimet e Shënjta në librat e tij. Ja dhe përgjigjja që u dha: „Bibla, thoni që nuk qënka shkruar për qëllime shkencore, prandaj nuk përfaqëson një autoritet në problemet shkencore. Duhet të kërkoni falje! Bibla është autoritet në çdo fushë. Bibla është e vërtetë dhe prej saj shpjegohet çdo e vërtetë…”.
James Joule (1818-1889). Është i mirënjohur për ndihmesën në lëmin e fizikësnë sajë të lidhjes që ka bërë midis nxehtësisë dhe lëvizjes mekanike. Është edhe autori i Ligjit që i mban emrin dhe një nga themelvënësit e termodinmikës. Ai vuri re një harmoni të fuqishme ndërmjet punës së vet dhe së vërtetës së zbuluar në Bibël. Shumë kolegë, shkencëtarë, përqafuan pikëpamjet e Joule-s dhe iu kundërvunë darvinizmit, i cili në atë kohë ishte përhapur së tepërmi në Angli. Më 1864, në Londër, 717 shkencëtarë nënshkruan një manifest të famshëm të titulluar “Deklarata e studentëve të shkencave natyrore dhe fizike”, në të cilin dëshmonin besimin që kishin në integritetin shkencor të Shkrimeve të Shënjta. Joule kishte bindje të plotë që Zoti është Krijuesi dhe parashtronte këto përparësi: „Pas njohjes dhe përmbushjes së vullnetit të Zotit, pikësynimi im i ardhshëm është të njoh diçka nga atributet e Tij – mënçurinë, fuqinë dhe mirësinë e Tij, ashtu siç janë shpalosur nga puna e duarve të Tij”.
Louis Pasteur (1822-1895).Hodhi themelet e shkencës së re të mikrobiologjisë dhe baktereologjisë.Shpiku vaksinimin, imunizimin dhe pasteurizimin, në sajë të të cilave u bë i mundur shpëtimi i një numuri shumë të madh jetësh njerëzore. Është autori i Ligjit të biogjenezës, që pohon se jeta nuk mund të burojë përveç se nga jeta, duke kundërshtuar idenë, atëkohë në modë, e evolucionit përmes gjenerimit spontan. Sipas Pasteur-it nuk ekziston asnjë kontradiktë ndërmjet shkencës dhe fesë së krishterë. Madje ka thënë: „Shkenca i afron njerëzit me Zotin” dhe arriti në përfundimin se kudo ekzistojnë dëshmi të një „projekti hyjnor”, duke mos pranuar insinuatat e kaosit. E famshme ka mbetur fraza e tij: „Sa më shumë studioj natyrën, aq më shumë mahnitem nga vepra e Krijuesit”.
William Thomson (Lord Kelvin) (1824-1907).Është i mirënjohur për formën rigoroze që i dha shkencës së termodinmikës dhe për formulimin e ligjit të parë të saj (të propozuar fillimisht nga Joule) dhe të ligjit të dytë, duke përdorur një terminologji të saktë. Zbuloi shkallën e temperaturës absolute, njësitë e së cilës, pr nder të tij, u quajtën gradë Kelvin.Gjatë jetës mori patenta për 70 shpikje. Kelvini besonte jashtë mase në Zot, çka dëshmohet ng këto fjalë të tij: „Kudo, rretheqark nesh, ndodhen dëshmi të padiskutueshme të një projekti hyjnor, inteligjent dhe dashamirës… Koncepti ateist më duket aq i pakuptimtë sa që nuk mund ta shpreh dot me fjalë”. Nuk konstatoi asnjë konflikt ndërmjet shkencës dhe Biblës dhe ishte i bindur që „përsa i përket zanafillës së jetës, shkenca… mbështet me siguri një fuqi krijuese”.
James Clerk Maxwell (1831-1879).Teoria electromagnetike, autor i së cilës është Maxwell-i, si dhe ekuacionet e fushës magnetike, që i bashkëshoqërohen, kanë shtruar udhën drejt fizikës së shekullit XX. Maxwell-i ka qënë një besimtar i krishterë i devotshëm, që e ka studiuar Biblën me rrënjë dhe e ka propaganduar me zell në qarqet shkencore. Në shënimet e tij është gjetur lutja e mëposhtme: „O Zot i Gjithëfuqishëm, që e ke krijuar njeriun sipas fytyrës Tënde dhe e ke bërë shpirt tëp gjallë që të mundë të Të kërkojë e e ke bërë zotërues të krijesave të Tua, mësona të studiojmë punët e duarve të Tua që ta bëjmë tokën të dobishme për ne dhe forcona logjikën për të Të shërbyer, që të marrim Fjalën Tënde të bekuar…”.
Të gjithë lartpërmendurit janë vetëm disa nga njerëzit e mëdhenj të shkencës, që kanë bërë zbulime dhe shpikje të pazakonta dhe kanë konstatuar se nuk ekziston absolutisht asnjë kontradiktë ndërmjet besimit të tyre në Bibël, – Fjala e përkryer e Zotit, – dhe gjenialitetit të tyre shkencor. Mund të zemë në gojë edhe shumë emra të tjerë shkencëtarësh, si për shëmbull Fleming-un, pionierin e elektronikës, i cili ka shkruar: „Ekzistojnë dëshmi të bollshme që Bibla, megjithëse është shkruar nga njerëzit, nuk është produkt i mendjes njerëzore. Ajo është nderuar gjithmonë nga njerëz të panumurt, si mbartëse e fjalëve që na janë kumtuar nga Krijuesi i Universit”. Lister-i, që ka shpikur kirurgjinë antiseptike, ka deklaruar: „Jam një njeri që beson në doktrinën themelore të krishterimit”. Simpson-i, shpikësi i anestezikëve, kur u pyet cili ishte zbulimi më i madh i jetës së tij, u përgjigj: „Fakti që gjeta Shpëtimtarin. Kam besim të patundur vetëm në një person – në Jezus Krishtin”. Dalton-i, që ka hedhur bazat e teorisë atomike, ka qënë një i krishterë i përbetuar; vëllezërit Wright, të cilët kanë shpikur avionin me motor, të dy, qysh në rini e patën pranuar Jezus Krishtin si Shpëtimtarin vetjak dhe nuk pranonin të punonin në Ditën e Zotit (ditën e diel), edhe në periudhën kritike të regjistrimit të shpikjes së tyre.
Nuk duhet të anashkalojmë as shkencëtarët e famshëm Babbage (shkenca e kompjuterëve), von Braun (raketat hapësinore), Euler (kalkulimet matematikore), Mendel (gjenetikë), Paskal (probabiliteti), Ramsay (kimi)… dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët kanë thënë me zë të lartë e me guxim para botës mbarë që besojnë në Zot, pa asnjë ngurrim apo kompromis.
Po e mbyll me tre fakte që zgjojnë kurreshtjen. Filozofi i madh francez Voltaire tërë jetën e mohoi, madje e talli Zotin, por, në fund të jetës e krahasoi botën me një sahat zviceran, të cilin e kurdis dhe e ve në lëvizje një Fuqi e Mbinatyrshme. Dijetari i shquar Albert Einstein, në çastet e fundit u shpreh : „Më lini se po flas me Zotin”, ndërsa Lenini, kreu i komunizmit rus, kur po mbyllte sytë përgjithmonë, urdhëroi të ndalohej prishja e mëtejshme e objekeve të kultit të të gjitha feve.