Më 12 prill në orën 10:00 është caktuar të mbahet seanca për deputetin Ervin Salianji, i cili u dënua me një vit burgim na Gjykata e Shkallës së Parë për kallëzim të rremë lidhur me çështjen ‘Babale’, ndërsa Apeli do të vendosë pas më shumë se tre vitesh.
Apeli do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, do ta shpallë të pafajshëm apo do të japë një vendim alternativ.
Lidhur me këtë dosje, juristi Romeo Kara ka thënë se nuk e njeh shumë si çështje, por nëse prokurorisë i janë ofruar fakte dhe prova, vendimi do të lihet në fuqi.
Sipas juristit, nuk mund të bëhet politikë me komplote e intriga dhe nëse jepet ky vendim në formë të prerë do të jetë shumë e rëndë.
Sakaq, ai ka theksuar se shpreson të merret një vendim i pandikueshëm nga asnjëra nga palët.
“Nuk e njoh në detaje dosjen që të shpreh me bindje se çfarë do të ndodhë. Po nëse prokurorisë i janë ofruar fakte dhe prova, me siguri kemi lënien në fuqi të këtij vendimi. Nëse jepet ky vendim në formë të prerë, mendoj që është shumë e rëndë. Tani nuk mund të bëjmë politikë, duke bërë komplote e intriga. Nëse kemi të bëjmë me këtë politikë, kjo politikë ka marra fund. Nuk e kam me personin, e kam me fenomenin.
Unë shpresoj që ata të mos ndikohen nga të dyja palët e politikës, njëra për ta dënuar dhe tjetra për ta liruar, por të japin një vendim të drejtë”, u shpreh Kara.