Gjykata e Durrësit vendosi sot masën e sigurisë “Burg pa afat” për dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj dhe për punonjësin e Policisë së Burgjeve, Flamur Bejko, ndërsa për 10 të arrestuarit e tjerë nga operacioni “Porositësi” “burg me afat 45 ditë”, si dhe la të lirë Fatjon Hajdarin.
Por mbi këtë vendim ka hedhur dyshime mbrëmjen e sotme gazetari Artan Hoxha, i cili tha në emisionin “Opinion” se është habitur nga gjykata e Durrësit.
Hoxha deklaroi se ka qenë masa e arrestit me afat 45 ditor ajo që e ka bërë të dyshojë dhe fakti që gjykata e Durrësit nuk pranoi që çështjen t’ja dërgojë SPAK-ut.
“Më ka çuditur vendimi i gjykatës sot. Duke pasur parasysh të gjithë fabulën. Ata bënë të qartë se kemi një grup të strukturuar kriminal, kemi të bëjmë me vrasës me pagesë, kemi të bëjmë me ngjarje të brenda, të cilat kanë pasur dhe pasoja. Madje, kemi patur të bëjmë me ngjarje të rënda që kanë pasur pasoja me njerëz të pafajshëm, sipas drejtorit të policisë. Në fakt, sot më çuditi vendimi i gjykatës.
E para, gjykata nuk pranoi kërkesën e prokurorit që çështja t’i kalohej SPAK-ut.
E dyta, gjykata ka vendosur të paktën 10 masa sigurie arresti me afat 45 ditor. Pra, ka diçka që nuk përputhet tek kjo pjesë që më bën të dyshoj.
Ose prokuroria dhe policia nuk kanë arritur të qepin mirë faktet e provat dhe ta bindin gjykatën që çështja t’i kalojë SPAK dhe gjykata të mos japë masa sigurie burg me afat. Në raste të tilla, që kemi të bëjmë me krime të këtij niveli, nuk jepet masë arresti me 45 ditë burg.
Unë kam një dyshim në këtë histori. A e kanë dokumentuar aktivitetin që kanë bërë këta dy persona (vëllezërit Beqiraj)?”, theksoi gazetari.