Bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj zhvilluan dje një takim me përfaqësues të OSBE/ODIHR. Në një reagim në rrjetet sociale, Gjiknuri u shpreh se në takim informuan drejtuesit e ODIHR-it për ecurinë e deritanishme të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. “U dakordësuam për modalitetet e mëtejshme të punës në fazën e hartimit të drafteve ligjore dhe ndihmën konkrete që do të japë ekspertiza e ODIHR-it”, theksoi Gjiknuri. Ndërsa Alibeaj nënvizoi në rrjetet sociale se: “me kërkesë të tyre patëm një takim në cilësinë e bashkëkryetarëve të komisionit të reformës zgjedhore me Drejtorin e Përgjithshëm të OSCE Office for Democratic Institutions and Human Rights (ODIHR), Matteo Mecacci, drejtuesen e Departamentit të Zgjedhjeve të ODIHR, Meghan Fitzgerald dhe këshilltarin Jacopo Leone”.
I informova për qëndrimet e PD mbi adresimin e rekomandimeve të ODHIR për, ndalimin e shitblerjes së votës, ndalimin e përdorimit të administratës dhe burimeve shtetërore nga qeveria në zgjedhje, për rregullimin e financimit të fushatave zgjedhore si dhe me domosdoshmërinë e adresimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese duke i shpjeguar se qëndrimi i PD është për sistemin me lista të hapura, Shqipëria 1 zonë elektorale, votimin dhe numërimin elektronik në gjithë Shqipërinë dhe votën e plotë dhe efektive të diasporës. I shpreha se PD ka qenë e mbetet e gatshme prej muajsh, për miratimin e reformës zgjedhore si interes më i lartë i shqiptarëve dhe i falënderova për ofrimin e asistencës së ODHIR me ekspertizën e tyre për këtë reformë”.