Afera e lobimeve me para të pista në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ana e ish-LSI, sot Partia e Lirisë dhe tringëllima e prangave për shumë eksponentë të lartë të kësaj partie, duket se ka nxjerrë jashtë kontrollit, madje ka lemerisur Ilir Metën. Në situatat kur ai rrezikon kokën, ish-presidenti ka treguar se është i gatshëm të shesë dhe familjarët e tij për të shpëtuar nga prangat. Ankthi i tij kuptohet qartë, pasi prej disa ditësh në korridoret e politikës dhe drejtësisë flitet se politikani “VIP” më i rrezikuar nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar është kreu i PL, pasi emri i tij shfaqet në 3 dosje që po heton SPAK, madje ai është paraqitur dy herë për të dhënë sqarime brenda Prokurorisë së Posaçme. Teksa prokurorët specialë kanë thelluar hetimet për familjen e tij, Meta ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ndër të tjera u pyet edhe për rekursin e bërë në Gjykata nga Monika Kryemadhi për t’i kthyer celularin dhe nëse ai ishte pjesë në këtë çështje. Ish-presidenti ka hequr përgjegjësinë nga vetja dhe tha se për këtë mund të flasë vetë Kryemadhi pasi ai nuk mban përgjegjësi për asnjë njeri në raport me ligjin. “Ju mund t’i drejtoheni vetë zonjës Kryemadhi. Janë dy çështje të ndara me thikë, i raportit tim politik me zonjën Kryemadhi. I cili nuk është ndonjë raport që ka shkëlqyer shumë, për hir të së vërtetës, për shkak të ndonjë vendimi të marrë prej saj në të kaluarën. Siç ka qenë ai i djegies së mandateve dhe i raportit me të si bashkëshorte. Ku ajo me thënë të drejtën është një shembull shumë i mirë sa i takon edukimit, mbarëvajtjes së fëmijëve. Tani për këtë çështje unë kam vetëm një përgjigje: S’mbaj përgjegjësi tani, se dikur thosha mbaj përgjegjësi vetëm për vajzën e vogël se nuk i kishte bërë 18 vjeç, por tani i bëri dhe ajo 19 vjeç. Kështu që nuk mbaj përgjegjësi për asnjë njeri për çdo sjellje në raport me ligjin. Ajo që dua t’ju siguroj ju dhe të gjithë shqiptarët se sjellje ime në raport me ligjin, në raport me kushtetutën ka qenë perfekte”, tha dje Meta.
Sulmet ndaj SPAK
Jo vetëm kaq, Meta njësoj si Berisha vazhdon të shtojë sulmet ndaj SPAK. Ai i quajti dje prokurorët, zarat e kryeministrit Edi Rama. “Dhe janë të mjerë të gjithë ata mercenarë të Edi Ramës dhe zarave të Edi Ramës, të cilët përpiqen të fabrikojnë të përdorin njerëz të cilët kanë probleme të rënda me drejtësinë dhe duhet ta kishin vendin në burg thjesht edhe vetëm për t’i përdorur kundër ilir Metës. Nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë rast të cënimit të ligjit nga Ilir Meta qoftë në kryerjen e detyrave shtetërore, qoftë në gjithçka tjetër. dhe duhet ta dini shumë mirë ju, meqë pyetët për 2 marsin që edhe kjo çështja që është rihapur për herë të tretë apo të katërt, CEZ/DIA, është regjistruar nga McGonigal. Sepse një nga angazhimet e McGonigal që është takuar dhe me prokurorë të SPAK, që u dënua për lekët që mori për llogari të Edi Ramës kundër opozitës, ka qenë që të aktivizonte çështjen CEZ/DIA. Dhe kjo çështje është regjistruar në dhjetori të vitit 2019. Dhe kur është ky moment? Ky moment është midis manifestimit të parë të paralajmëruar nga unë, sepse 2 marsi ishte planifikuar të zhvillohej në fillim të dhjetorit. Por për shkak të tërmetit në nëntor u shty. Si një mjet presioni kundër presidentit të republikës që të pranonte betimet e faqezinjve dhe faqezezave te Lana. Edhe sa herë kishte ndonjë konflikt kundër presidentit të Republikës për çështje për të cilat ai mbante vetëm qëndrime kushtetuese. Zarat e SPAK thoshin po vjen furgoni, ka ardhur Kastriot Ismaili, më falni që po e përmend, ka qenë i dënuar në Fier, po vjen tek SPAK-u. Ka vajtur x prokuror, zar i Edi Ramës në Fier atje dhe po jep dëshmi edhe etj. Etj. Edhe unë qëndrimet edhe më të forta, më patritotike i kisha edhe më në mbrojtje të kushtetutës i kisha. Ju e dini shumë mirë se i vetëm në Komisionin e Venecias e kam shqepur Edi Ramën me të gjithë McGonigal-ët e tij që lobonin në të gjitha çështjet ku diskutoheshin problemet e raportit me kushtetutën”, tha Meta.
Mungesa në protestën e Berishës
Gjatë konferencës së djeshme, Meta solli në vëmendje edhe protestën e 2 marsit të thirrur prej tij, teksa u pyet nga gazetarët për mungesën në protestën e 20 shkurtit të opozitës. “Mos harroni se opozita ishte e shitur. Dhe një nga arsyet se pse unë e thirra popullin më 2 mars, ishte sepse opozita nuk po më përgjigjej. Unë u kërkoja të dilnin dhe të flisnin e të denonconin kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Ata më thoshin mua se ne jemi në Lushnje në shkurt e në mars se po shikojmë si po vete puna e kastravecit. Dhe kjo ishte një nga arsyet që unë u detyrova të thërras popullin. Nuk ka dashur kurrë të bëj një gjë të tillë. Madje ka akte dhe dokumente se kemi qenë edhe në prag të pandemisë. I kam kërkuar që të anulohet mitingu. I kërkova të heqin projektligjin që futën tinëzisht derisa të vijë përgjigjja e Komisionit të Venecias. Edhe pastaj të respektohet vendimi i Komisionit”, tha ai ndër të tjera.
Box
Baza e NATO-s në Kuçovë, Meta: Investim për sigurinë tonë kombëtare
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta përshëndeti dje edhe hapjen e bazës së NATO-s në Kuçovë duke e quajtur një moment të rëndësishëm. Meta tha se përzgjedhja e Kuçovës tregon vlerësimin që aleanca euro-atlantike ka për Shqipërinë. “Partia e Lirisë përshëndet ngjarjen shumë të rëndësishme të hapjes së bazës moderne ajrore të NATO-s në Kuçovë dhe e vlerëson si një investim strategjik për sigurinë tonë kombëtare, atë rajonale dhe të vetë Aleancës së Atlantikut të Veriut. Përzgjedhja e Kuçovës si vendndodhje e kësaj baze është një vlerësim që NATO ka për Shqipërinë dhe kontributin e saj në sigurinë e rajonit. Partia e Lirisë shpreh gatishmërinë për të ndihmuar që Shqipëria të plotësojë të gjitha detyrimet ndaj NATO-s, por edhe për të marrë përgjegjësi të reja. Zgjerimi i NATO-s në Ballkan është një kontribut përcaktues për sigurinë, paqen dhe vlerat e demokracisë”, tha Meta.