Shqipërinë e kanë vizituar që prej vitit 1990 kur u rrëzua komunizmi pesë Sekretarë Shteti të SHBA-së dhe të pestë kanë pasur arsye specifike dhe të ndryshme për turin e tyre në Tiranë. Ata janë: James Baker në 1991, Madeleine Albright në 2000, Colin Pawell në 2003, Hillary Clinton në 2012 dhe John Kerry në 2016. I gjashti që pritet ta vizitojë Tiranën këtë javë është Antony Blinken. Por ndryshimi i madh këtë herë është se ambasada amerikane në Tiranë është shmangur totalisht. Kur mediat pranë qeverisë publikuan lajmin ekskluziv se do Sekretari Amerikan i Shtetit do të vinte në Tiranë, ambasada e SHBA reagoi pas një kërkese nga shtypi se nuk kishte asnjë informacion për këtë zhvillim. Ngjarje të këtyre përmasave të mëdha janë njoftuar gjithmonë nga ambasada, madje është mësuar dhe protokolli. Kjo vizitë tregon se është “blic” dhe e papritur dhe jep sinjale se pritet të plasë “bomba” amerikane për politikën shqiptare.
Pesë Sekretarë Shteti të SHBA në Tiranë
Për të treguar rëndësinë e vizitës të një zyrtari kaq të lartë në vendin tonë, le të shohim historinë. I pari Sekretar Amerikan i Shtetit që e vizitoi Shqipërinë ishte James Baker në vitin 1991. Kreu i diplomacisë amerikane do të përjetonte në Tiranë një sensacion që do ta shpjegonte gjatë në të gjithë intervistat por edhe kujtimet e tij: mitingun më të madh proamerikan në Europë pas Luftës së Ftohtë në një vend që deri dje ka qenë pjesë e kampit komunist. Ndaj arsyeja e vërtetë e ardhjes së Bakerit në Tiranë ishte heqja e Shqipërisë nga axhenda e inercive komuniste dhe shtytja e krijimit të qeverive antikomuniste. Në atë kohë në Tiranë ishte një qeveri e përbashkët PD-PS, ku kryeministër ishte Ylli Bufi. SHBA donte t’i priste gjërat shkurt: të tregonte nga Tirana një sinjal të qartë të shkëputjes totale nga komunizmi. Dhe ashtu u bë. Por Baker ishte edhe politikani amerikan që dha një mesazh shumë të rëndësishëm. Ai e dinte shumë mirë se vizitonte një vend me shumicë myslimane dhe, para mitingut në sheshin “Skënderbej”, hoqi këpucët dhe vizitoi xhaminë e Et’hem beut. Madaleine Albright e vizitoi Shqipërinë në vitin 2000. Gruaja e hekurt” e administratës së Bill Clinton, projektuesja e Rambuje-së, pas çlirimit të Kosovës, në vjeshtën e vitit 1999 bëri një vizitë të shkurtër në Tiranë, ku dha një mesazh të qartë se shqiptarët tashmë janë aleatë të ngushtë të Amerikës. Në një miting përballë Kryeministrisë në krah të kryeministrit të asaj kohe, Ilir Meta, zonja Allbright tregoi dhe arsyen e asaj vizite: theksimit se Kosovë duhet të shkojë drejt një shteti të pavarur. Colin Poëell e vizitoi Shqipërinë në vitin 2003 Sekretari Amerikan i Shtetit, Colin Powell, në vitin 2003 zgjodhi Tiranën si vendin ku do të firmoste “Kartën e Adriatikut” ose paradhomën për hyrjen në NATO të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. U zgjodh Tirana si vend i firmosjes së paktit, pasi tashmë ishte përcaktuar prioriteti i qendrës proamerikane në Ballkan që ishin as më pak e as më shumë por pesë ish-vilajetet e ish-Perandorisë Osmane.
Clinton dhe Jonhn Kerry
Në vitin 2012 do të ishte Hillary Clinton ajo që do të vizitonte Shqipërinë. Sekretarja e Shtetit e mandatit të parë të Barack Obamës është zyrtarja më e dashur nga shqiptarët, natyrisht edhe prej bashkëshortit të saj që kur ishte President, bombardoi Serbinë dhe çliroi Kosovën. Zonja Clinton zgjodhi një kohë mjaft të rëndësishme pë vizitën e saj në Shqipëri dhe Kosovë. Periudhën e shënimit të 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar. Një konfirmim diplomatik se Shqipëria u krijua edhe falë vullnetit të SHBA-së që iu kundërvu fuqive të vjetra botërore që në 1913 sakatuan trojet shqiptare. Jonhn Kerry, vizitoi Shqipërinë në vitin 2016. Sekretari i Shtetit i mandatit të dytë të Presidentit Obama, nuk kishte si të mos vizitonte Shqipërinë pasi sërish kjo pjesë e Ballkanit mbetet nyja nevralgjike e Uashingtonit. Kerry erdhi në Tiranë për një arsye më shumë se gjeopolitike për strehimin e 2500 personave nga Kampi i Lirisë, iranianë me kombësi por që Teherani kërkonte t’i vriste. Pra të gjitha vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë e kanë pas një qëllim të rëndësishëm, ashtu si kjo vizitë e papritur e Blinken, e cila do të zbulohet ditët në vijim se çfarë efektesh do të japë në politikën shqiptare. Lajmet ende të pakonfirmuara se do të takojë kreun e SPAK Altin Dumanin shtojnë edhe më shumë ankthin tek pushtetarët e lartë të korruptuar.