Sekretariati i Etikës ka vendosur pasditen e kësaj të hëne që të përjashtojë për 10 ditë 7 deputetë të opozitës, pas kaosit në seancën e miratimit të Buxhetit 2024.
Më kërkesë të mazhorancës, janë përjashtuar deputetët Ervin Salianji, Lefter Gështnja, Bledion Nallbati, Asllan Dogjani, Isuf Çelaj, Luan Baçi dhe Xhelal Mziu.
Seanca zgjati vetëm 7 minuta dhe për shkak të protestës së opozitës, buxheti kaloi pa diskutime.
Të vetmit që dolën kundër protestës së opozitës dhe morën pjesë në votim ishin 4 deputetët që njohin kryetar Lulzim Bashën.
Flutura Açka, Merita Bakiu, Andia Ulliri dhe Selaudin Jakupllari votuan kundër buxhetit.
Në kushtet kur Sali Berisha, Gazment Bardhi e Flamur Noka mungonin në seancë për shkak se janë përjashtuar, protesta e opozitës u udhëhoq nga deputetët Ervin Salianji, Nallbati e Dogjani.
Këtë të fundit e përjashtoi nga seanca kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Vendimi erdhi me pretendimin se Asllan Dogjani hodhi tymuese në Kuvend gjatë seancës.