Deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj e cilëson historike votimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku me 131 vota pro, u mbështet raporti për anëtarësim në këtë organizatë.
Në një intervistë televizive, Gjonaj u shpreh se delegacioni shqiptar ka lobuar dhe ka qenë në mbështetje të Kosovës.
Sipas Gjonajt, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, është një sinjal pozitiv edhe për rajonin.
“Ka qenë një ditë historike jo vetëm thjesht për Kosovën edhe Shqipërinë, por për të gjithë kombin shqiptar. Pasja e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës, jo vetëm i ka njohur Kosovës progresin që ka bërë në 3 kriteret kryesore që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës monitoron, por nga ana tjetër, i jep mundësinë Kosovës edhe të avancojë në agjendën e integrimit evropian. Duke pasur shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, vetë Organizata e Këshillit të Evropës ka dalë përtej vendimmarrjeve apo marrëdhënieve bilaterale, duke treguar vlerat që kjo organizatë ka dhe respekton vlerat e saj që lidhen me procesin meritokratik përsa i përket 3 kritereve.
Verndimmarrja e fundit i përket ministerialit më 16 maj, ku do duhet që 2/3 e shteteve të miratojnë anëtarësimin e plotë të Kosovës, por besoj fakti që Asambleja Parlamentare, duke e konsideruar që vendimi këtu është më meritoratik, mbi bazën e asaj se çfarë ka arritur një shtet, besoj do të jetë një rekomandim që do të konsiderohet nga ministeriali në maj. Do duhet akoma më shumë lobim. Ne gjatë gjithë kësaj periudhe si delegacion shqiptar, së bashku me kolegët tanë të Kosovës dhe me shtete të tjera dashamirëse, kemi kryer një lobim shumë të fortë, rezultati e tregon në fakt.
Këtu lidhet dhe ka një meritë të jashtëzakonshme edhe vetë kryeministri Rama dhe ministrat e Jashtëm që kanë qenë në këtë detyrë. Qënie e Kosovës në këtë tryezë, do të japë mundësinë që edhe për rajonin do të ketë një sinjal pozitiv, ku siguria, stabiliteti është më i rëndësishëm se marrëdhëniet bilaterale midis shteteve.
Nuk mund të them që kishte zhgënjim. E rëndësishme që numri maksimal u mor nga asambleja”, theksoi ajo.