Analisti i njohur, Kreshnik Spahiu ka komentuar zhvillimet e fundit politikë. Sipas tij, amerikanët dhe Brukseli kanë përgatitur një plan të madh për Ballkanin dhe rol kryesor për të arritur objektivat e tyre është përzgjedhur Shqipëria. Për Spahiun, në një kohë kur Europa po armatoset dhe po përgatitet për luftë, është mision që shteti shqiptar të ketë strategji për tërheqjen e donacioneve të armëve të ndryshme dhe vënien në punë të uzinave dhe fabrikave. Gjithashtu ai thotë gjatë intervistës për gazetën “SOT”, se Shqipëria është anëtar i NATO dhe e ka kërkuar NATO dhe SHBA që të mbahej samiti i Ukrainës për shkak të rrezikut që ka shpërthimi i një lufte në Ballkan. Analisti thotë se mesazhi i samitit është i thjesht Ballkani dhe Shqipëria janë pro perëndimor. Spahiu shprehet se duke tërhequr diplomacinë serbe, maqedonase dhe greke jepet mesazhi që ky është kryeqyteti më i besueshëm diplomatikisht i Ballkanit dhe tregon se Shqipëria dhe Ballkani nuk është pro ruse. Për këtë, sipas tij, NATO i ka kërkuar Zelenskyt dhe Ramës që të japin një mesazh dhe natyrisht që ka një protagonizëm të fuqishëm mes samitit të parë dhe këtij.
-Zoti Spahiu, do doja një koment për dronët bajraktar, në Shqipëri vijnë 3 të tillë?
Është një lajm i mirë. Mendoj se Shqipëria duhet ta ketë strategji investimin për armatosjen. Armatosja e Shqipërisë dhe e Kosovës është mision kombëtar, nëse duam që të jemi një shtet serioz, duhet që të kemi një shtet të fuqishëm në sistemin e mbrojtjes. Gjatë sistemit komunist është investuar 100 herë më shumë se në sistemin demokratikë. Është investuar në infrastrukturë dhe në teknologji dhe aratim, tanke artileri të rëndë, anije luftarake, ndërsa sot kemi një vend pa flotë, pa stacion treni, pa avion luftarak. Kaq të zhveshur dhe të pambrojtur është e pamundur që diplomatikisht të jemi të barabartë me fqinjët tanë. Në një kohë kur Europa po armatoset dhe po përgatitet për luftë, është mision që shteti shqiptar të ketë strategji për tërheqjen e donacioneve të armëve të ndryshme dhe vënien në punë të uzinave dhe fabrikave.
-Pse nuk është investuar gjithë këto vite?
Luftën nuk e kemi përjetuar, e shohim si një film, është koha për tu përgatitur sepse ndoshta lufta po troket në dyert e Europës. Shqipëria është vend i NATO dhe nuk mund të jemi neutral. Ne duhet që të jemi gati sepse NATO, Europa ka luftuar për ne. Na dha një shtet tjetër, Kosovën, ata kanë luftuar për ne dhe ne duhet që të luftojmë për ata. Rusia është e interesuar që të hap një luftë në rajon. Nga 42 baza që ka NATO tashmë dy i ka një në Kuçovë dhe një në Kosovë. Shqipëria e ka futur në agjendë blerjen e armëve, hapjen e bazave ushtarake dhe është domosdoshmëri, sepse këtë e bëjnë shumë shtete në rajon dhe mos harrojmë, kjo nuk do mirëpritet nga fqinjët tanë, ata nuk na kanë pas frikë, sepse ata kanë qenë më të fuqishëm në sistemin e mbrojtjes dhe në armatime. Armatimi është garanci për Kosovën dhe për paqen në rajon dhe në Ballkan. Sa kohë gjermanët, suedezët, finlandezët, estonezët kanë në agjendë prioritet armatimin ne duhet që të mos jemi indiferent. Ka shtete që kanë qytetërim dhe kanë vite larg luftës dhe sot janë duke u armatosur dhe duke u përgatitu për një luftë të mundshme që mund të ndodh me Rusinë.
-Vizita e Zelenskyt, a është Shqipëria një faktor i rëndësishëm në rajon në lidhje me situatën e luftës?
Pse Shqipëria nuk mban një samit për Izraelin dhe Palestinë, por për Ukrainën? Sepse Shqipëria është anëtar i NATO dhe e ka kërkuar NATO dhe SHBA që të mbahej ai samit për shkak të rrezikut që ka shpërthimi i një lufte në Ballkan. Mesazhi i samitit është i thjesht Ballkani dhe Shqipëria janë pro perëndimor. Duke tërhequr diplomacinë serbe, maqedonase dhe greke jepet mesazhi që ky është kryeqyteti më i besueshëm diplomatikisht i Ballkanit dhe tregon se Shqipëria dhe Ballkani nuk është pro ruse. Për këtë NATO i ka kërkuar Zelenskyt dhe Ramës që të japin një mesazh dhe natyrisht që ka një protagonizëm të fuqishëm mes samitit të parë dhe këtij. Të dyja lidhen me Ballkanin dhe kanë protagoniste Tiranën zyrtare. Po pse realizohet në Tiranë? Sepse Europa dhe Uashingtoni i kanë dhënë rolin drejtues Shqipërisë në Ballkan. Sot po ta vëmë re edhe samitet e Ballkanit u japin mundësi shqiptarëve që të jenë promotor dhe drejtuesit e çdo iniciative diplomatike në Ballkan. Çdo kush që kritikon samitin për Ukrainën i bëjnë avokati Rusisë. Nuk ishte reklamë për Ramën, sepse Rama s’do jetë më, NATO do të jetë, baza ushtarake do të vazhdojë. Shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do pranohen në BE anëtare një nga një, por do pranohen të gjitha.
Nuk fut Europa shtete që kanë konflikte, i vetmi shtet që është larg konflikteve dhe ka harmoni në bashkëjetesën fetare dhe etnike. Rama ka luajtur si lojtar i fuqishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ka ruajtur marrëdhënie të ekuilibruara me Beogradin për shkak të nevojës dhe kushteve që i ka vendosur perëndimi. Mungesa e vullnetit për të treguar partneritet me amerikanët apo gjermanët e britanikët përfshi, dyzimet e Shkupit apo Malit të Zi kanë bërë që Tirana të tregohet më seriozja dhe më partnerja me amerikanët dhe nga kjo ka përfituar politikisht Edi Rama. Mendoj se 30-40 për qind e mbështetjes që ka Rama nga ndërkombëtarët është thyerja e partneritetit të SHBA nga Kurti. Serbët kudo që jetojnë kanë Beogradin të tyren. Shqiptarët krijojnë konflikte mes vetes nuk kanë konsideratë për Tiranën zyrtare për nënë Shqipëri. Kjo ndodh edhe me disa parti në Maqedoni dhe Vetëvendosjen në Kosovë. Kurti më shumë ka dialog me Vuçiç se me Edi Ramën. Krijimi i konflikteve nga Kurti jo vetëm me Amerikën dhe Bashkimin Europian, por edhe me qeverinë e Tiranës, me Preshevën edhe me partitë shqiptare në Maqedoni apo me Abazoviç në Mal të Zi ka treguar se nuk është kryeministër serioz sepse nuk di të dialogojë as me shqiptarët si mund të dialogojë me Beogradin ose me Uashingtonin dhe kjo ka bërë që të fitoj Rama në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
-A duhen serioze kërcënimet që Putini bërë ndaj NATO dhe SHBA?
Ai që si merr seriozisht nuk është as diplomat dhe as politikan. Ai ka treguar se është pervers në ambiciet e tij ushtarake dhe në sistemin autokratik që ka vendosur. Ai ka treguar se nuk do të sulmojë një javë më pas ka bërë të kundërtën. Kur ai kërcënon për luftë bërthamore duhet marr seriozisht dhe këtë e ka konfirmuar Macron. Putini po shfrytëzon një moment delikatë për Europën dhe Amerikën dhe kërcënimi i tij për përdorimin e armëve bërthamore është serioz.
-Çështja Beleri është një ngërç i kaluar mes BE-Greqisë dhe Shqipërisë, sepse Greqia thoshte se do vendoste një veto?
Greqia ka treguar se ka penguar Maqedoninë për anëtarësimin në NATO deri sa e bëri që të ndryshoj emrin. Pse mendoj unë se Greqia nuk do ta pengojë dot procesin e integrimit. Së pari mendoj se Bashkimi Evropian do të ndryshojë procedurat e votimit dhe do të heqë veton në procesin e zgjerimit. Pra nuk do të lejojë që një shtet anëtarë të bllokojë anëtarësimin e një shteti apo disa shteteve të tjera. E dyta mendoj se Edi Rama do të arrijë një marrëveshje.
Nuk them sot apo nesër, por brenda një viti do gjendet një zgjidhje me Greqinë për Fredi Belerin. E treta mendoj që Greqia nuk ka luksin për të bllokuar Shqipërinë si 20 vite më parë, pasi ndryshe nga 20 vite më parë Brukseli dhe Uashingtoni janë radhitur në krah të Shqipërisë. Tirana është partner më i përkëdhelur se Greqia. Çështja Beleri do të ketë zgjidhje, një nga arsyet pse ka zgjidhje është se Rama i ka lënë një shteg të hapur Greqisë duke mos realizuar zgjedhje të parakohshme në Himarë. Ligjërisht duhet të ishin bërë zgjedhje në Himarë. Fakti që zgjedhjet nuk po ribëhen tregon që Rama po mban një as në xhep që do ta nxjerrë në momentin e duhur që të arrijë një pajtim me Greqinë dhe ta shmang këtë konflikt diplomatik që mund të pengoj anëtarësimin e vendit.
Intervistoi: Rigels Seliman