Deputetja e Partisë Demokratike dhe anëtare e Kryesisë së kësaj partie, Andia Ulliri u shpreh dje në një deklaratë për mediet se në vend, emigrimi i të rinjve po kthehet në nga një shqetësimet më serioze, për shoqërinë. Ajo citoi të dhënave e një ankete të INSTAT sipas së cilës rreth 50% e të larguarve gjatë viteve të fundit janë të rinjtë e moshës 15 -29 vjeç.“Sipas raporteve nga Eurostat, shkalla e papunësisë tek të rinjtë shqiptarë është shqetësuese, duke qenë tri herë më e lartë se mesatarja europiane. E duke shtuar këtu, ndryshimet në ligjin e tatimeve, duke bërë që 169 profesione të lira të bëhen pjesë e tatimeve, do ta bëjnë situatën më të vështirë për të rinjtë që kërkojnë të bëhen profesionistë të lire.
Sipas një ankete të INSTAT rreth 50% e të larguarve gjatë viteve të fundit janë të rinjtë e moshës 15 -29 vjeç”, u shpreh Ulliri. Sipas saj, përmirësimi i aftësive për punë së bashku me përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve, si dhe funksionimin e një mbrojtjeje efektive sociale, janë tre shtyllat kryesore për fuqizimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare. Ajo theksoi se prioriteti i strategjive për rininë sot dhe për rininë në vitin 2030 duhet të jetë investimi në të ardhmen e sigurt.“Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të mbështetur të rinjtë, studentët e profesionistët e rinjtë duke iu ofruar lehtësira jo duke i taksuar, duke i trajnuar jo duke i gjobitur, duke iu ofruar praktika jo duke i detyruar të largohen. Prioriteti i strategjive për rininë sot dhe për rininë në vitin 2030 duhet të jetë investimi në të ardhmen e sigurt duke u fokusuar në fuqizimin e tyre nëpërmjet arsimit, trajnimit dhe zhvillimit të aftësive. Sfida jonë sot është të kthejmë shpresën tek të rinjtë dhe kjo arrihet duke kthyer vëmendjen tek të rinjtë”, përfundoi Ulliri.