Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Posaçme, ku po zhvillohet seanca për masën e sigurisë ndaj Fredi Belerit.
Në Gjykatën e Posaçme mbahet sot seanca e parë ndaj Fredi Belerit, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës pritet që të jetë i pranishëm në seancë. Po ashtu, në gjykatë ka shkuar edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Pasi ka mbërritur Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Dule dhe avokatët e Fredi Belerit kanë hyrë në sallën ku do të vendoset sot fati i Fredi Belerit.
Beleri ka bërë dy kërkesa për leje të veçantë, por burgjet ia kanë refuzuar. SPAK kërkon gjykimin e Belerit për korrupsion zgjedhor, pasi sipas akuzës u kap dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit duke blerë vota.
Ndërkohë ai ka paraqitur dy rekurse të reja në Gjykatën e Lartë. Në një prej tyre kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës kërkon vlerësimin e paligjshëm të arrestit në flagrancë. Në rekursin tjetër Beleri kërkon të shpallen të paligjshme përgjimet e kryera nga Prokuroria e Vlorës për lejimin e përgjimit të fshehtë fotografik audio e video të personit të infiltruar.