Prej muajsh, Policia e Shtetit është në ankth për shkak të dosjes “Metamorfoza 2”. Aty shfaqen më qartë se kurrë lidhjet e tyre me botën e krimit. Disa ditë më parë, SPAK lëshoi 11 urdhër-arreste për grupin kriminal, nga të cilat u ekzekutuan 5 prej tyre duke arrestuar ish-drejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçanin, nën akuzën e sigurimit të mjeteve për grup kriminal, Dedan Gjonin shef të krimeve në komisariatin numër 6, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me Bujar Germizin dhe Besmir Muratin për planin e vrasjes së dy vëllezërve që jetonin në Britani të Madhe. Të gjitha këto u zbuluan nga përgjimet e “Sky”. Po ashtu në gusht u raportua se 70 drejtues të latë të Policisë Shtetit dhe mbi 300 oficerë ishin nën hetim nga Prokuroria e Posaçme si të dyshuar për lidhjet me krimin.
Përgjimet
Të dhënat e deritanishme tregojnë se ekzistojnë përgjime, të cilat tregojnë qartë korrupsionin e kupolës së Policisë së Shtetit dhe faktin se si drejtues të kësaj strukture dekonspirojnë operacione për kapjen e eksponentëve të krimit. Dhe ky është me siguri momenti kur do të shohim që nuk goditet thjesht dhe vetëm ai polici që merr 1 mijë lek ryshfet, por kupola drejtuese që marrin mijëra euro në fund të muajit nga bota e krimit në mënyrë që ata të mos kenë shqetësime me ligjin. Janë ata drejtues që i kanë emrat në listëpagesën e grupeve kriminale, që mbi apo nën zë janë akuzuar dhe herë të tjera për lidhje me bandat, që kanë kapur majat e piramidës drejtuese brenda policisë për të abuzuar me pushtetin dhe forcën që u jep ligji me qëllimin për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë.
E në fakt kush mundet t’i besojë një polici që dekonspiron operacionet dhe tregon denoncuesit? E tashmë pas shumë vitesh, për herë të parë pritet që drejtësia të bjerë mbi vetë ushtruesit e ligjit, dhe pikërisht mbi kupolën e Policisë së Shtetit. Në momentin që këta bashkëpunëtorë të krimit do të ekspozohen, natyrisht që do të shkarkohen dhe do të zëvendësohen në detyrat që mbajnë. Sa janë ata dhe si do të zëvendësohen?
Gati 600 fytyra të reja në krye të rendit
Këto ditë është raportuar se disa punonjës policie që janë të përfshirë në këto biseda kanë dhënë dorëheqjen dhe nuk ka informacione mbi vendndodhjen e tyre. Zëvendësimi i tyre ka nisur. Nga ana tjetër, aksioni i transofrimimit rrënjësor të Policisë së Shtetit u vulos me firmën e kryepolicit Muhamet Rrumbullaku.
Ai hapi pas muajsh bllokimi, konkursin e gradave në Policinë e Shtetit. Në total janë 572 vende vakante, mes të cilëve 12 për “drejtues i pare”, 40 për “drejtues”, 200 janë “kryekomisar” dhe 320 “Komisar”. Hapja e garës për gradën “drejtues i parë” u krijon mundësinë elitave të reja të policisë të marrin poste drejtuese, të cilat prej vitesh duket se janë zënë nga një grup drejtuesish që vetëm riciklohen një herë në disa muaj, me emërimi nga një drejtori qarku në tjetrën. SPAK po jep sinjale se do të godasë në vijim kupolën e inkriminuar të Policisë dhe shteti do të shkarkojë të gjithë zinxhirin drejtues. Në këtë mënyrë Policia e Shtetit do të rindërtohet nga pika zero me punonjës të pastër, të përkushtuar ndaj punës dhe të verifikuar për pastërtinë e figurës së tyre.
Edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla konfirmoi pak kohë më parë në Komisionin e Çështjeve Evropiane se edhe ai vetë është në pritje të një vendimi, që kush del në përgjimet e aplikacionit SKY ECC apo të telefonave Encro, apo kush i ka përdorur këto pajisje, do të përjashtohet nga policia. “Çdo punonjës policie shteti që rezulton që ka pasur akses në rrjetet e komunikimit qoftë EncroChat apo SkyECC do përjashtohet nga Policia e Shtetit edhe nëse në atë komunikime rezulton se s’ka aktivitet kriminal. Vetëm fakti që ka aksesuar në një rrjet të tillë, por lidhet ne kodin etik” tha Balla. Kjo është arsyeja që ministri i ri nuk ka bërë asnjë lëvizje në polici që pas emërimit në detyrë. “SPAK po zhvillon hetime mbi bazën e të dhënave nga Europol, besoj se së shpejti do të kemi zhvillime, jo vetëm do të vetëpastrohet policia, por edhe vetë shoqëria” tha Balla në të njëjtin komision. Përgjimet e zbuluara nga Europol mendohet se përbëjnë një nga dosjet më voluminoze, që ka mbërritur ndonjëherë në vendin tonë. Gazetarët e France24 raportuan vitin e kaluar se përgjimet e arkivuara ishin rreth një miliard mesazhe.
Gjuha e parë e përdorur mes organizatave kriminale ishte anglishtja. Gjuha e dytë, gjuha shqipe. Në një takim off record me gazetarët, shefi i SPAK, Altin Dumani konfirmoi se përgjimet ekzistojnë. “Deri kur u regjistrua ky procedim, flitej se zyrtarë e drejtues kryenin korrupsion, apo ishin të përfshirë në krim, por s’kishte veprime konkrete. Sot është fakt që janë të arrestuar. Kemi shumë punë për të bërë, lidhur me këtë çështje”, i tha Altin Dumani gazetarëve.