Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një intervistë ka përsëritur kërkesën e treshes evropiane, Scholz, Macron e Meloni lidhur me nevojën urgjente për të lëvizur drejt themelimit të Asociacionit dhe dhënies së njohjes de-facto nga Serbia.
Ai ka folur edhe për qëndrimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, se “pa nënshkrim nuk ka zbatim”. Diplomati amerikan ka theksuuar qëndrimin e SHBA-së se “mund të ketë zbatim dhe pa nënshkrime”.
Sa i përket situatës së sigurisë dhe çështjes së dislokimit të ushtrisë serbe rreth kufirit me Kosovën, Hovenier thotë se SHBA e përcjell nga afër secilin shqetësim.
“Unë ende fle mjaft rehat natën duke e ditur që NATO është atje, duke e ditur se ka ushtarë amerikanë në NATO dhe duke e ditur se ata janë të aftë të përballojnë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë që mund të shfaqet”, ka përfunduar Hovenier.