Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka vlerësuar se pjesëmarrja e ministrit të jashtëm të Rusisë, Lavrov në Takimin e Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup nuk është fitore e Rusisë, por e organizatës.
Kovaçevski gjithashtu tha se nuk do të ketë takim me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov.
“Një ngjarje e rëndësishme, falënderoj Ministrinë e Jashtme për kryesimin e suksesshëm. Në mbledhjen e sotme do të konfirmohen vendimet që tanimë bisedohet në nivel të ambasadorëve.
Organizata po ballafaqohet me sfida të shumta përfshi edhe agresionin rus në Ukrainë… Nuk është fitore diplomatike e Rusisë, por është fitore e OSBE-së. Me këtë OSBE-ja do të vazhdoj të funksionojë…
Nëse OSBE-ja e ndihmoi Maqedoninë e Veriut 30 vjet më parë, sot Maqedonia e Veriut ndihmon OSBE-në të jetë organizata më e madhe rajonale e sigurisë në Evropë.
Shpresoj se vendimet e marra në nivel të ambasadorëve do të konfirmohen dhe se OSBE-ja do të vazhdojë të punojë me sukses”, tha Kovaçevski.
Kujtojmë se në samitin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me pjesëmarrjen e diplomatëve të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.
Lavrov arriti në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në orët e para të 30 nëntorit.
Avioni i Lavrovit u detyrua që të udhëtonte mbi Greqi për të arritur në Maqedoni të Veriut.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, që ishte në bordin e avionit, e akuzoi Bullgarinë për “budallallëk” për shkak se refuzoi që avioni i Lavrovit të fluturonte mbi hapësirën ajrore bullgare.
Zakharova, që është nën sanksione të BE-së, tha se prania e saj në bordin e avionit ishte arsyeja që Bullgaria refuzoi kalimin mbi hapësirën e saj.
Pjesëmarrja e diplomatit rus në samitin e OSBE-së paraprakisht ishte mundësuar nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
Kjo ka shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.
Punimet e Samitit kanë nisur jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në epiqendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pasi avioni me të cilin ai fluturonte ende nuk kishte arritur në Shkup.
Kryediplomati amerikan pas darkës joformale është larguar nga Shkupi duke shmangur kështu praninë e tij në një sallë me homologun e tij rus, Lavrov.