Gjatë vizitës në Njësinë Speciale Policore “Kobra”, presidenti serb Aleksandar Vuçiç bëri të dielën një deklaratë kërcënuese ndaj shqiptarëve etnik në Luginë të Preshevës.
Presidenti serb duklaroi se çdokush që punon kundër Kushtetutës së Serbisë do të arrestohet menjëherë.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar dhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
“Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL) është tejet e brengosur për këtë kërcënim publik të Vuciqit dhe efektet potenciale ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Liga Qytetare ka punuar me liderët e Luginës së Preshevës për mbi dy dekada rresht për të sjellë në vëmendjen e liderëve të politikës së jashtme të SHBA-ve çështjen e tyre”, thuhet në reagim.
Ky kërcenim publik i Vuçiç vjen një ditë pas takimit të Ligës Qytetare me delegacionin nga Lugina e Preshevës në Neë York në përbërje prej Shaip Kamberit, Nagip Arifit, Ardita Sinanit e Ragmi Mustafit.
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dënon ashpër kërcënimin publik të Vuçiqit kundrejt shqiptarëve etnik në Luginë të Preshevës.
“Ne do të vazhdojmë punën tonë me Anëtarët e Kongresit të SHBA-ve dhe me organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në SHBA dhe Evropë për t’u siguruar që shqiptarët në Luginë assesi të mos mbesin në mëshirën e regjimit antidemokratik të Vuçiqit”, vijon tutje reagimi.