Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, deklaroi se autoritetet ruse kurrë nuk kanë kërkuar negociata për situatën në Ukrainë, por sipas tij, kanë thënë se janë të gatshme për të negociuar.
Siç raporton BBC, Lavrov u shpreh se Rusia kurrë nuk do t’i shmangë kontaktet mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij të SHBA-së, Joe Biden.
“Ne kemi thënë disa herë se nuk i shmangim kurrë kontaktet. Kurrë s’kemi kërkuar negociata, por gjithmonë kemi thënë se nëse dikush i interesuar për një zgjidhje të negociuar, ne jemi të gatshëm”, tha ai.
Lavrov theksoi se s’ka kuptim të diskutohet “ndonjë çështje e stabilitetit strategjik me SHBA-në, jashtë kontekstit të ngjarjeve në Ukrainë”.
“Për mendimin tim, është e qartë se është e pamundur të diskutohet sot për stabilitetin strategjik duke injoruar gjithçka që po ndodh në Ukrainë”, tha ai në një konferencë shtypi në Moskë.
Sipas ministrit, Perëndimi, duke e ndihmuar Ukrainën, synon “të mposhtë Rusinë në fushën e betejës, madje edhe të shkatërrojë Rusinë”.