Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani.
39-vjeçari ka treguar se si vepronte grupi kriminal i drejtuar nga Laert Haxhia, i cili për hakmarrje nuk kurseu as njerëzit e tij të afërm.
Shantazhi që Fridman Xhaferaj i bënte kushëririt të tij Laert Haxhisë se nëse nuk e nxirrte nga burgu do të rrëfente mbi ngjarjet për të cilat kishte dijeni, duket se kjo vulosi edhe fatin e tij.
Pas daljes nga burgu, Haxhiu kishte porositur eliminimin e kushëririt të tij si ndëshkim për tradhtarët.
Pasi u ekzekutua, Fridman Xhaferaj u hodh në ujërat e një rezervuari në Korçë dhe pas 12 ditësh u gjet trupi i tij i pajetë.
Më tej Tafani ka treguar planin që u bë për të vrarë Alban Semakun. I penduar i drejtësisë shprehet se e ka gënjyer Semakun për ta çuar në një vend në të cilin pretendonte se kishte fshehur heroinë.
Në momentin që Semaku ul kokën për të parë nëse kishte heroinë qëllohet për vdekje.
50 mijë euro kishte marrë Laert Haxhiu për të ekzekutuar Çajup Selimin më 1 qershor në Tepelenë, një vrasje kjo e porositur.
Ditën e diel do të zhvillohet seanca gjyqësore për personat të cilët u arrestuan gjatë operacionit ‘Kurrë mos harro’. Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën e arrest në burg për të gjithë të ndaluarit.