Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dhe Prokuroria Speciale e Malit të Zi kanë paralajmëruar ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore në luftën kundër krimit, pastrimit të parave dhe korrupsionit, duke iu dërguar një mesazh të fortë zullumqarëve se i presin ditë të vështira. Kështu kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani dhe drejtuesi i Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta, Arben Kraja ishin dje të pranishëm në një takim dypalësh në Podgoricë, Mali i Zi, me Prokurorin e Përgjithshëm të Malit të Zi, Milorad Markovic, dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, Vladimir Novović. Në takimin me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, një rëndësi të veçantë iu kushtua diskutimeve për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, lehtësimit të shkëmbimit të informacioneve dhe eksperiencave më të mira, propozimit për krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore, me qëllim pasjen e një qasje sa më të koordinuar dhe të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Dumani bëri një prezantim të Strukturës së Prokurorisë së Posaçme dhe treguesve të SPAK, ndaj hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionin. Gjithashtu ai trajtoi praktikën e ndjekur tashmë nga ky institucion, në lidhje me fillimin paralel të hetimit pasuror dhe financiar, për çdo hetim që lidhet me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Pra duket qartë se Prokuroria Speciale (SPAK) është e vendosur për të goditur paligjshmëritë, jovetëm brenda vendit, por edhe jashtë Shqipërisë, duke bashkëpunuar me agjencitë e huaja ligjzbatuese.
GJKKO dënon me 2 vite burg ish-kryetarin e Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj
Ndërkohë dje pa kaluar shumë nga deklarata e kreut të SPAK, Altin Dumani, ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg për shpërdorim detyre dhe tjetërsim prone, çka tregon se drejtësia e re nuk të fal dhe se kushdo që është përfshirë në afera korruptive e kriminale do t’i duhet të japë llogari para ligjit. Gjykata e Posaçme (GJKKO) e deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” duke i caktuar 2 vite burgim, por nga gjykimi i shkurtuar u dënua përfundimisht me 1 vit dhe 4 burgim. Ndër të tjera, Frrokaj është dënuar që të mos ushtrojë funksione publike për 5 vjet. Bashkë me të janë dënuar edhe 5 ish zyrtarë të tjerë. Gjithashtu gjykata vendosi konfiskimin e mbi 66 mijë m2 tokë te “Rana e Hedhun”. Mësohet se bëhet fjalë për tjetërsimin e 234 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte në zonën e Ranës së Hedhun, e cila ishte tjetërsuar me dokumente të falsifikuara. Në lidhje me këtë çështje sipas prokurorisë gjykata ka vendosur dhe asgjësimin e praktikave për këtë pronë dhe rikthimin e saj ne gjendjen e mëparshme, pra në tokë shtet, por Kadastra nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Lezhës, ndaj dhe kanë nisur hetimet, duke sjellë dhe pezullimin e 11 punonjësve.
Emrat dhe vendimi i Gjykatës së Posaçme
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Erjon Çela dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 13, datë 01.03.2024 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fran Frrokaj, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Fran Frrokaj me 1 (një) vit dhe 4 (katër) burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Fran Frrokaj do të fillojë nga dita e marrjes formë të prerë të këtij vendimi dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme. Në zbatim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e të drejtës për të pandehurin Fran Frrokaj për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5 vjeçar.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Sokol Toma, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësiperme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Sokol Toma me 1 (një) vit burgim. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdherohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim duke e vënë të pandehurin Sokol Toma në provë për një periudhë kohe prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vëndbanimin e tij. Në zbatim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e të drejtës për të pandehurin Sokol Toma për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5 vjeçar.
3. Pushimin e gjykimit të çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Bledar Cara, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi në zbatim të neneve 387/1 dhe 328/1/e të K.Pr.Penale, rezulton se me vendim të formës së prerë i pandehuri është gjykuar më parë për të njëjtën vepër penale.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gjovalin Marku, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim. Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Gjovalin Marku me 1 (një) vit burgim. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdherohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim duke e vënë të pandehurin Gjovalin Marku në provë për një periudhë kohe prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e tij. Në zbatim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e të drejtës për të pandehurin Gjovalin Marku për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5 vjeçar.
5. Deklarimin fajtore të të pandehurës Adiona Martini, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim. Ne aplikim të nenit 406/1 të Kodit te Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht e pandehura Adiona Martini me 1 (një) vit burgim. Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim duke e vënë të pandehurën Adiona Martini në provë për një periudhë kohe prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryeje vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e saj. Në zbatim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e të drejtës për të pandehurën Adiona Martini për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5 vjeçar.
6. Pushimin e gjykimit të çështjes penale në ngarkim të të pandehurës Juxhina Mema, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi në zbatim të neneve 387/1 dhe 328/1/e të K.Pr.Penale, rezulton se me vendim të formës së prerë e pandehura është gjykuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Pasuritë e konfiskuara
v Pasuria e paluajtshme nr. 5/5, vol, 22, fq. 21, ZK 1986, me sipërfaqe 8000 m2, me vendodhje Lezhë;
v Pasuria e paluajtshme nr. 2/50, vol, 24, fq. 28, ZK 1987, me sipërfaqe 1148 m2, me vendodhje Lezhë;
v Pasuria e paluajtshme nr. 821/30, vol, 6, fq. 141, ZK 2568, me sipërfaqe 27.009.80 m2, me vendodhje mali i Rencit, Lezhë;
v Pasuria e paluajtshme nr. 821/28, vol, 6, fq. 139, ZK 2568, me sipërfaqe 30.663.70 m2, me vendodhje mali i Rencit, Lezhë;
Tjetërsimi i pronave në Lezhë, çështje që prej vitesh i përket drejtësisë kur është bërë dhe goditja më e madhe e SPAK me sekuestrimin e 55 milionë eurove pasuri, të ardhura nga vjedhja e tokës së shtetit. 13 milionë euro pasuri të sekuestruar në korrik i përkasin grupit të Fran Frrokaj dhe 10 të tjerëve, për të cilët SPAK mbylli hetimet dhe kërkon gjykimin, ndërsa 42 milionë euro pasuri të sekuestruara në vitin 2017 i përkasin grupit të vëllait dhe motrës së ish-deputetit Arben Ndoka.