Kanë nisur homazhet në nder të artistit brilant Mirush Kabashi. Pas një beteje disa vjeçare me një sëmundje të rëndë, aktori i madh i skenës dhe filmit shqiptar, Mirush Kabashi, mbylli sytë të martën në moshën 75-vjeçare.
Pritjet do të mbahen në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Qytetarë, artdashës, miq, politikanë dhe familjarë të Mirush Kabashit kanë zhvilluar homazhe për artistin e dashur për pyblikun shqiptar.
Disa nga artistët që kanë ardhur të bëjnë homazhet kanë qenë Luftar Paja, Zamira Kita, Kastriot Çushi, Zhani Ciko, Aishe Stari dhe shumë të tjerë.
Pritet që homazhet të mbahen deri rreth orës 13:00 dhe më pas trupi do të prehet në varrezat e Sharrës.
Dirigjenti i njohur Zhani Ciko ka treguar për bashkëpunimet me Kabashin dhe kur ky i fundit interpretoi për herë të parë në një koncert rolin ‘Sokrati’.
“Mirushi mendonte për rolet e tij, jetonte për to. Një ditë Mirushi më afrohet dhe më thotë; kam përgatitur rolin që do të jetë më i rëndësishmi në karrierën time. Unë i thashë; ty nuk të thuhet jo se ti nderon skenën. Kur bëjmë ne koncertin, skena do të jetë e jotja. U habitëm se ishte veshur me një veshje të veçantë dhe doli e interpretoi ‘Sokratin’ e tij për herë të parë. Mua më ngjalli satisfaksion”, tha Ciko.
Aktori Luftar Paja e konsideron si një figurë shumëdimensionale: “Do ta mbaj mend si një figurë shumëdimensionale, i papërsëritshëm. Si një njeri i qeshur dhe i miqësisë dhe do të më kujtohet nëpërmjet veprave që ka lënë.
Veprat e Mirush Kabashit janë të shumta dhe cilësore. Unë kam pasur rastet që kam punuar në koncertet e vitit të ri dhe do ta kujtoj për aftësinë e komunikimit, për talentin e tij. Çfarë mund t’i kujtosh më para Mirushit i cili siç kishte emrin rrezatonte mirësi”.
Shkrimtari Ylljet Aliçka tha se shfaqja më e veçantë e tij është Soktrati: “Kur punoja në ambasadë organizova një shfaqje të Sokratit në Paris dhe ishte shi dhe kisha merakun që meqë shfaqja ishte në shqip si do ta kuptonin spektatorët francezë.
Ftova trupin diplomatik në Francë. Salla kishte 2 mijë veta. Pasi mbaroi shfaqja, ata thanë se nuk kishte fare nevojë për përkthim pasi shfaqja kishte aq emocion. Mirushi ka bërë një pjesë teatrale me tregimet e mia, një film të gjatë me skenarin tim. Sektari është më e veçanta. Kishte vërtetë mjeshtri aktori”.
Mirush Kabashi do të mbahet mend nga të gjithë për gjurmët që ka lënë në aktrimin shqiptar me mbi 100 rolet në teatër dhe në film.