Paketa e re e sanksioneve kundër Rusisë e propozuar të mërkurën nga Komisioni Evropian pritet të targetojë më shumë se 1300 persona dhe subjekte, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Kjo listë synon vendimmarrësit kryesorë, oligarkët, zyrtarët e lartë ushtarakë dhe propaganduesit, përgjegjës për minimin e integritetit territorial të Ukrainës”, shtoi Borrell gjatë një deklarate për shtyp në Bruksel.
Sipas Borell, sanksionet e reja do të synojnë “ata të përfshirë në pushtimin e Rusisë dhe aneksimin e paligjshëm të zonave të Ukrainës”, duke përfshirë “autoritetet ruse përfaqësuese në Donetsk, Luhansk dhe Kherson dhe Zaporizhzhia dhe individë të tjerë rusë që organizuan dhe lehtësuan referendumet e rreme në këto katër territore të okupuara të Ukrainës”.
Borrell shpjegoi gjithashtu se sanksionet do të përfshijnë zyrtarë të rangut të lartë në Ministrinë ruse të Mbrojtjes, përfshirë ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu, dhe ata që mbështesin Forcat e Armatosura Ruse duke ofruar pajisje dhe armë të ushtrisë.
“Ne gjithashtu vazhdojmë të synojmë aktorët që përhapin dezinformata rreth luftës. Në veçanti, ata që përhapin informacion të rremë dhe dhurojnë fonde për zonat e pushtuara ruse,” konfirmoi Borrell.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së shtoi se “shumë është bërë tashmë” për sa i përket aktorëve ekonomikë, por se subjektet e tjera jo-ruse që “po marrin pjesë në anashkalimin e sanksioneve” mund të jenë gjithashtu në shënjestër.
Borrell përfundoi duke vënë në dukje se BE “do të zgjerojë shtrirjen gjeografike të kufizimeve që zbatohen për Krimenë, në Donetsk dhe Luhansk, të miratuara në fillim të vitit. Dhe kjo do të mbulojë të gjitha zonat e kontrollit joqeveritar të Ukrainës, duke përfshirë rajoni Zaporizhzhia dhe Kherson, të cilat nuk janë pjesë e Donbasit dhe nuk kanë qenë pjesë e vendimeve të mëparshme.”