Rusia ka paralajmëruar ditën e sotme se është në ‘prag të një përplasjeje të drejtpërdrejtë me SHBA-në dhe NATO-n’ dhe është ‘shumë e mundur’ që nuk do të ketë traktat për kontrollin e armëve bërthamore me Amerikën pas vitit 2026 për shkak të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i shkaktuar atë që zyrtarët rusë e kanë cilësuar si “disfatë strategjike” në Ukrainë.
Zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov tha se vendimi i Uashingtonit për të furnizuar Kievin me 31 nga tanket M1 Abrams ishte një “hap jashtëzakonisht shkatërrues” që “përshkallëzoi” luftën në Ukrainë.
Ryabkov pretendoi se këmbëngulja e dukshme e Uashingtonit për të shkaktuar ‘humbje strategjike’ ndaj Rusisë do të thotë se e ardhmja e traktatit të kontrollit të armëve bërthamore midis SHBA-së dhe Moskës është në dyshim. Ai paralajmëroi se shtylla e fundit e mbetur e traktatit mund të përfundojë në vitin 2026 pa një rinovim.
Si Rusia ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë ende arsenale të mëdha armësh bërthamore të cilat aktualisht janë pjesërisht të kufizuara nga Traktati i vitit 2011, i cili në vitin 2021 u zgjat deri në vitin 2026. Ajo që vjen pas 4 shkurtit 2026 është e paqartë, megjithëse Uashingtoni ka treguar se dëshiron të arrijë një marrëveshje pasuese me Rusinë.
I pyetur nëse Moska mund të parashikonte që pas vitit 2026 të mos kishte një traktat për kontrollin e armëve bërthamore, Ryabkov i tha agjencisë shtetërore RIA: “Ky është një skenar mjaft i mundshëm”.