Pas deklaratës së Putinit i cili njoftoi një mobilizim të pjesshëm me 300 mijë rezervistë, duket se rekrutët e rinj po braktisin kazermat.
The Times raporton se arsyeja se përse rekrutët po ndërmarrin një veprim të tillë është se i kanë bërë të flenë në dysheme sepse nuk ka shtretër.
Rekrutëve iu është kërkuar që të blinin vetë “sleeping bag”, dyshekë kampingu të cilat palosen në një çantë dhe mbahen me vete.
Atyre u është kërkuar gjithashtu që të blenë vetë edhe pajisjet mjekësore që do tu duhen kur të dërgohen në front.
Pamjet nga një kazermë në rajonin Altai të Siberisë jugore, tregojnë një eprore që u thotë rekrutëve që t’u kërkojnë grave dhe nënave të tyre të blejnë pako higjienike dhe pambuk, për t’u përdorur për të ndalur gjakderdhjen nëse plagosen.
Ajo thotë se kjo është diçka që ushtarët kanë bërë që nga luftërat e Rusisë në Çeçeni në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000. Eprori u thotë atyre se duhet gjithashtu të blejnë ilaçet e tyre ose t’i merrnin nga kutia e ndihmës së shpejtë që kanë në makina.
Kur një rekrut pyet nëse ushtria do të sigurojë ndonjë nga këto sende, ajo përgjigjet: “Ne ju kemi dhënë uniformë, gjithçka që lidhet me luftimet. Por gjëra të tjera, jo”, dëgjohet të thotë ajo.
Pamjet në mediat sociale tregojnë radhët e rekrutëve që flenë në stola dhe në dysheme. Një rekrut filmoi veten teksa braktiste kazermën ndërkohë që ishte i neveritur për kushtet që ofrohen atje.
“Unë refuzoj të kaloj kohë këtu. Kam ardhur të luftoj për atdheun, por e refuzoj. Shikoni se çfarë po ndodh këtu. Unë jam duke shkuar në shtëpi. Në dhomën tonë nuk kemi shtretër, asgjë” tha ai, duke ecur nëpër dhoma në të cilat dhjetëra burra ishin shtrirë duke fjetur në dysheme.
Një braktisje e tillë mund të sjellë pasoja për rekrutët, pasi një vendim i Kremlinit dënon deri me dhjetë vite burg të gjithë ata që refuzojnë të luftojnë në front.
Vendimi i Putinit për mobilizim e rezevistëve, ka krijuar një situatë kaotike ku rusët përpiqen të largohen nga vendi, ku më shumë se 115,000 rusë në moshë për të luftuar kanë ikur nga vendi.