Kryeministri hungarez, Viktor Orban do të takohet me ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump më 8 mars në Florida, tha përfaqësuesi i Orban për mediat për agjencinë shtetërore hungareze të lajmeve MTI të dielën vonë. Muajin e kaluar, nacionalisti Orban mbështeti kandidaturën e Trump në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA. “Ne shpresojmë që presidenti aktual do të largohet dhe se presidenti Trump do të kthehet dhe do të ketë një dorë të lirë për të arritur paqen në Ukrainë,” tha Orban më 23 shkurt. Orban ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë për ta ndihmuar atë të luftojë pushtimin rus dhe ka kritikuar sanksionet perëndimore kundër Rusisë. Ai vazhdimisht ka bërë thirrje për një armëpushim në Ukrainë për t’i dhënë fund luftës. Kryeministri hungarez, në pushtet që nga 2010, është përballur me tensione me administratën e presidentit Joe Biden, kryesisht për shkak të vonesës së Budapestit në ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO. Pas një vonese të gjatë, parlamenti hungarez miratoi javën e kaluar kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në NATO dhe tani presim që presidenti hungarez ta nënshkruajë përfundimisht këtë javë. Orban tha se zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA këtë vit dhe vota për Parlamentin Evropian në qershor do të jenë vendimtare sepse konservatorët në Evropë dhe SHBA duhet të luftojnë së bashku për të “ripushtuar” institucionet në Uashington dhe Bruksel nga liberalët të cilët, siç tha Orban janë kërcënime për qytetërimin perëndimor. Në prill 2023, kur u ngritën akuzat për të parën nga 4 çështjet penale të Trump, Orban postoi një mesazh mbështetjeje për Trump duke i kërkuar atij që “të vazhdojë të luftojë”.