Është zbardhur skema se si vidhen fondet e Bashkimit Evropian të destinuara për bujqësinë shqiptare, ndërkohë që subvencionet e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural i marrin klientët e lidhur me qeverinë dhe jo qytetarët. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ka akuzuar AZHBR-në se fondet që merr nga Bashkimi Europian për fermerët, ua kalon klientëve të qeverisë. Në një takim me strukturat e PL-së në Korçë, Meta tha se fondet i përfitojnë vetëm ata që janë të lidhur me inceneratorët, ndërsa fermerët e thjeshtë nuk mund të marrin asgjë.“Bujqësia. Nuk mund të ndodhte shpopullimi pa goditur bujqësinë, fshatin dhe fermerin. Është e qëllimshme. Shumica e fondeve të AZHBR-së shkon për klientët e qeverisë. Pavarësisht se BE ka për qëllim që përmes AZHBR-së të përforcojë fermerin e thjeshtë, jo klientët e qeverisë. Ne do subvencionojmë 100% planet e biznesit të fermerit. BE duhet të jetë gjithmonë e më shumë kërkuese duke shtrënguar politikat e saj në mënyrë që të mos i marrin ata që janë të lidhur me inceneratorët. Ata që janë të lidhur me inceneratorët marrin fondet e AZHBR-së vetëm duke aplikuar. Situata është kaq kritike për bujqësinë sa që mjafton që të lëmë diskutimet e të bëjmë krahasimet. Fermerët e Korçës marrin 18 herë më pak fonde për hektar se sa vendet e rajonit. Vetëm 3 euro për hektar shkon për fermerin. 42 euro shkon për urokratët e administratës. Sipërfaqja e mbjellë në Korçë po shkon drejt përgjysmimit”, tha ai.
Auditimi i KLSH, Agjencia për Zhvillim Bujqësor me mungesë efektiviteti
Ndërkohë shkelje më herët ka konstatuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka publikuar raportin e auditimit të performancës për efektivitetin e granteve në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rurar, nga ku është arritur në përfundimin se AZHBR nuk ka arritur efektivitetin e synuar nga menaxhimi dhe administrimi i fondeve buxhetore për skemat kombëtare në Bujqësi. Në raportin e KLSH-së thuhet se fondet e dhëna për informim kanë rezultuar jo efektive, pasi mjetet e komunikimit kanë qenë të kufizuara, informacioni i pamjaftueshëm dhe jo cilësor, nuk është menaxhuar siç duhet.“Menaxhimi i burimeve njerëzore ka shfaqur probleme në strukturimin organik, formimin bazë, rekrutimin, trajnimin dhe vlerësimin e performancës etj; kanë rezultuar me mangësi vetë procedurat e subvencionimit për skemat kombëtare të analizuara në dinamikë për kushtet dhe kriteret e përfitimit, si dhe zbatimit të tyre nga ana e AZHBR; fondet e dhëna për informim kanë rezultuar jo efektive, pasi mjetet e komunikimit kanë qenë të kufizuara, informacioni i pamjaftueshëm dhe jo cilësor, nuk është menaxhuar siç duhet etj.; financimet për mbrojtjen e ullirit nuk janë efektive, pasi nuk janë zbatuar siç duhet procedurat e prokurimit, nuk është vepruar në përputhje me kuadrin rregullator, verifikimet dhe monitorimet për këtë skemë nga AZHBR kanë qenë me mangësi, duke rritur premisat për abuzime nga ana e institucionit; fondet e investimeve të përfituara nuk janë shfrytëzuar si duhet në aspektin ekonomik, për të gjeneruar më pas të ardhura të mjaftueshme për të mbështetur zhvillimin e zinxhirit të vlerës që të mund të zhvillojnë projekte të besueshme për financim; ka munguar sektori i monitorimit për një periudhë 4-vjeçare, e si pasojë edhe monitorimi i skemave kombëtare të vogla dhe investimeve, duke e ulur ndjeshëm efektivitetin e fondeve të dhëna për ato”, thuhet në raport. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të cilat kanë ulur efektivitetin e përdorimit të fondeve buxhetore për bujqësinë nga ana e AZHBR.