Një shpërthim i fuqishëm në një kompleks magazinash, zonë industriale në Lushnje, i mori dje jetën babë e bir e plagosi 7 persona mes tyre edhe deputetin e PS-së, Bujar Çela, i cili ndodhej në biznesin e tij. Shpërthim ndodhi rreth orës 15:30 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim në qytet dhe shkak u bë një incident, teksa një vinç që po punonte në magazinë preku telat e tensionit të lartë. “Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, akisdentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm. Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi R.H., dhe janë plagosur tetë shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore.
Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit”, informoi dje Policia e Lushnjes. Si pasojë e shpërthimit viktimë kanë mbetur babë e bir, Roland dhe Elidion Hoxha 51 e 24 vjeç kurse 7 persona të plagosur, mes tyre deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela. Ambulancat e Spitalit të Lushnjës vërshuan për të plagosurit, por gjetën pa jetë drejtuesin e vinçit Rolandin dhe në gjendje të rëndë djalin e tij Elidionin të dy mbi vinç. I riu humbi jetën teksa transportohej për në qendrën spitalore të Traumës, drejt të cilës mbërriti një tjetër i plagosur 41 vjeç dhe deputeti Bujar Çela që sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. Mbetet i paqartë shkaku i këtij incidenti gjatë që përfundoi në tragjedi për familjen Hoxha, por përmasat mund të ishin më të rënda, nisur nga pasojat. Në videon e shpërthimit pas kontaktit të vinçit shfaqen objekte me presion të lartë në flakë ku dyshohet se mund të ketë pasur bombola oksigjeni në këto ambiente pune që kanë nxitur shpërthimin e fuqishëm. Në pamjet e shpërndara dje në media shihet se shpërthimi ka rrënuar kolonat e betonit, gropa të thella në tokë dhe shkatërrim të makinerive të rënda që ndodhen pranë magazinave. Sipas ekspertëve për gazetën “SOT”, një shkatërrim i tillë shkaktohet nga lëndë eksplozive apo lëndëve shpërthyese si gaz.
U plagos nga shpërthimi në Lushnjë, deputeti Çela i nënshtrohet operacionit
Ndërkohë deputeti socialist, Bujar Çela, i cili mbeti i plagosur nga shpërthimi në një objekt në pronësi të tij në Lushnjë, i është nënshtruar operacionit në spitalin e Traumës. Shefi i Urgjencës së Traumës, Gjovalin Bushi u shpreh dje për mediat se deputeti ka dëmtime në pjesën e barkut, por gjendja e tij është stabël. “Deputeti ka ardhur para 1 ore. Është intervenuar në kirurgjinë e Lushnjës, kanë parë dëmtime të mëdha i kanë dhënë ndihmën primare. E sollën këtu, këtu e riekzaminuam dhe tani sapo u fut në sallë. Ka dëmtime te barku, ka edhe brenda në abdome. Si gjendje deputeti që nga momenti që erdhi dhe tani është stabël. Besoj se do jetë një ndërhyrje pak e gjatë. Ka shumë dëmtime, metalike që duhet të largohen… “, tha Bushi. Ndërkaq Bushi është shprehur se edhe i lënduari tjetër nga shpërthimi është në gjendje të stabilizuar shëndetësore. “Eshtë në sallë duke u operuar, gjendja është stabël, flas për 41 vjeçarin”, shtoi ai.
Ministri Balla jep detaje nga spitali
Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Taulant Balla u gjend menjëherë në vendngjarje sot dhe më pas në spitalin e Lushnjes i shoqëruar edhe nga kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj. Në atë zonë bashkë me persona të tjerë që janë 7 në total të plagosur është gjendur edhe deputeti i Lushnjes, Bujar Çela, i cili ka marrë një plagë për shkak të shpërthimit. Nuk jam një mjek të jap detaje por mund t’ju them që plaga është arritur të izolohet edhe ky i plagosur është nisur për një trajtim të specializuar në Qëndrën Kombëtare të Traumës. Në total janë 3 persona të plagosur të cilët janë nisur për trajtim të specializuar në Qëndrën Kombëtare të Traumës. Dhe siç e keni parë ndihma e parë e dhënë këtu ka qenë kyçe për të shpëtuar jetën e personave të plagosur.
Ndërkohë policia e shtetit në bashkëpunim me prokurorinë po vijon punën për të kërkuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë rast, do ta quaja tragjedi”, tha ministri për mediat. Po ashtu, Balla konfirmoi se një prej të plagosurve ishte edhe djali i vinçierit që ndërroi jetë. “Njëri prej tyre është në gjendje shumë të vështirë. Djali i vinçierit është gjendur pranë në mjet dhe për pasojë nisur edhe nga gjendja e personit që ka humbur jetë kuptohet që bëhet fjalë për një shpërthim brenda mjetit. Policia ka konkluduar si arsye të shpërthimit paraprak shkarkesën e energjisë elektrike. Me bashkinë do fillojmë menjëherë të vlerësojmë dëmet e shkaktuara në zonën përreth sepse shpërthimi ka qenë i fortë. Pothuajse të gjitha ndërtesat përreth kanë pësuar dëme. Duhen vlerësuar dëmet dhe duhet të marrim masat nëse do duhet të strehojmë ata që kanë nevojë për mbështetje”, nënvizoi Balla.