Koncerti “Shostakovich Celebration” me muzikën e një prej kompozitorëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar do të çelë pranverën në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Veprat e kompozitorëve botërorë janë pjesë e koncerteve që do të zhvillohen gjatë muajit mars në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe programi artistik do të vijojë me koncertin mbrëmjes e datës 9 për publikun. Për koncertin në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit vjen dirigjenti slloven Simon Krecic. ““Shostakovich Celebration” është koncerti instrumentalo-simfonik që do të çelë pranverën në TKOB! Me Koncertin nr.1 në La minor për Violinë dhe Orkestër, op.77 dhe Koncertin nr. 1 në Do minor për Piano, Trombë dhe Orkestër harqesh, op.35 të Dmitri Shostakovich-it, sjellë nga Orkestra Simfonike e TKOB-së, nën dirigjimin e maestros slloven, Simon Krecic dhe me solistët Leonard Simaku- violinë, Kosti Deti- pianoforte, Xhino Daja- trombë”, thuhet nga TKOB. Dmitri Shostakovich ishte një kompozitor dhe pianist rus i epokës sovjetike, i cili u bë i njohur ndërkombëtarisht pas premierës së Simfonisë së tij të Parë në 1926 dhe më pas u konsiderua si një kompozitor kryesor. Dmitri Dmitriyevich Shostakovich (25 shtator 1906- 9 gusht 1975) arriti të kompozonte shumë pjesë të shkëlqyera muzikore. Pas përfundimit të luftës publikoi Simfoninë nr. 9. Prezantimi i veprës u bë më 3 nëntor 1945. Në vitin 1950, kompozitorit i lanë përshtypje veprat e Bach dhe veprat e piktorit Leipzig. Dhe ai filloi të kompozonte 24 prelude dhe fuga për piano. Shumë prej tyre përfshijnë kompozime në listën e veprave më të famshme të Shostakovich. Pak para vdekjes së tij, Shostakovich krijoi katër simfoni të tjera. Përveç kësaj, ai shkroi disa vepra vokale dhe kuartete harqesh.
Orkestra Simfonike në aktivitetin e saj
Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit gjatë gjithë kalendareve artistik, ka mbajtur peshën më të madhe, që nga fillimi i krijimit të saj e deri sot. Me kalimin e viteve, orkestra u pasurua me instrumentistë të përgatitur fillimisht në Konservatorët e vendeve lindore si Pragë, Leipsig, Sofje dhe më pas nga Konservatori Shtetëror i Tiranës me hapjen e tij në vitin 1961. Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka dhënë dhe vijon të japë një kontribut të çmuar në ekzekutimin e veprave të kompozitorëve shqiptar dhe atyre botërorë. Pas vitit 1990 në turnetë artistike që ka ndërmarrë TKOB në Itali, Francë, Turqi, Greqi, Maqedoni, Kosovë, Kroaci, Bosnjë, Zvicër, Belgjikë, etj, kjo orkestër ka marrë vlerësime nga publiku dhe specialistët e fushës. Nga kjo orkestër kanë dalë solistë instrumentistë dhe orkestrantë të talentuar, si dhe janë krijuar disa ansamble të muzikës së dhomës.