Frikërat e gazetarëve për shëndetin mendor të Edi Ramës (që në kohën kur ai u emërua nga Fatos Nano si Ministër i Kulturës) ishin dhe mbeten me vend. Sjelljet, deklaratat, mimikat, shpërthimet dhe veset e Edi Ramës e justifikojnë cilindo që e vë në dyshim shëndetin e tij mendor. Ajo që nuk justifikohet është kjo qasja e butë dhe kjo kultura “lëre derisa t’i kalojë dallga” që kanë përvetësuar shqiptarët ndaj njerëzve me probleme mendore. Ndonëse mijëra çifte, familje, biznese dhe raporte të ndryshme në Shqipëri varfërohen, shkatërrohen dhe përgjaken për shkak të ndonjë individi i cili i ka disa “vida mangut” ose “tërbohet kollaj”, shqiptarëve nuk u vajti kurrë në mendje se një i çmendur mund të bëhet problem për gjithë kombin. Nëse u shkonte ndërmend ky rrezik që çmenduria krijon për familjet, por edhe për shtetet, ata do të ishin treguar me kohë më vigjilentë përballë tërbimit të njërit apo tjetrit, do të harxhonin më shumë energji dhe para për shëndetin mendor të një grupi dhe do të miratonin sa më shumë ligje që të çmendurve t’u ngriheshin pengesa për shërbimin e tyre në administratën dhe hierarkinë e vendit.
Mirëpo në vend të vigjilencës, shqiptarët dhe qeveritë e atëhershme, të udhëhequra nga Fatos Nano dhe Sali Berisha, zgjodhën rrugën e lëshimeve dhe symbylljes përballë një njeriu i cili në Tiranë vetëm si normal nuk njihej. Fatos Nano ndoshta pati ndonjë interes vetiak në shërbimin e Edi Drogaxhiut (kështu e thërrisnin në Tiranë asokohe) kurse Sali Berisha, me sa duket, e pa me sy të mirë që në vend të një intelektuali si Fatos Nano, përballë vetes të kishte një të shkrehur me aspirata artistike. Të theksohet këtu se këto që them nuk janë shpifjet e mia. Janë thashetheme të rëndomta të atyre viteve, ku pothuajse të gjithë demokratët e quanin Edi Ramën drogaxhi dhe psikopat dhe nuk besoj se e bënin për inat, sepse po të ishte kjo e fundit arsyeja, ata shumë bukur mund ta shpallnin edhe Fatos Nanon psikopat apo drogaxhi (mirëpo në opozitë Nano përflitej më tepër si “kumbari”, kurse Rama si “mallisti” puro). Përsa i përket tani publikut tiranas, fotot nudo të Edi Ramës nuk besoj se ishin një pamje e mirë, por për shkak të tolerancës së lartë që shqiptarët kanë përvetësuar ndaj çmendurisë dhe imoralitetit, publiku tiranas mjaftohej me idenë se ky njeri i cili nga opozita akuzohej vazhdimisht si drogaxhi dhe imoral, ishte edhe njeriu që shembi ndërtimet pa leje në Tiranë. Kështu pra i çuditshmi (dhe aspak normal) Edi Rama mori votën e mijëra shqiptarëve për punën e përkryer me skavatorë dhe dinamit ndaj ndërtimeve që PD-ëja i kishte lënë të lulëzonin në Tiranë pa asnjë leje. Fakti që Edi Rama është i njëjti njeri i cili votimet e para i fitoi duke shembur restorante apo pallate dhe votimet e fundit i mori duke shpërndarë mijëra leje për ndërtimet pa leje, flet qartë jo vetëm për gjendjen e tij morale dhe mendore, por edhe për gjendjen morale dhe mendore e të gjithë atyre që e përkrahin.
Nëse deri dje opozita dhe mijëra shqiptarë besonin se diçka mund të fitohet edhe nga jo-normali Rama, tani e gjithë Shqipëria ngjan me një vend që nuk sillet aspak normalisht; ngjan me një tren të dalë nga binarët, për të cilin vetëm një zot e di se ku dhe kur do të përplaset me turi. Përpara se t’i referohemi eksperimentit të fundit mendor që Edi Rama provoi me këtë vend (atë të marrëveshjes së tij me kryeministren italiane Xhorxhia Meloni), le të përmendim edhe disa eksperimente të tjera, të cilat na bëjnë të kuptojmë se cilado qoftë diagnoza e tij mendore, ajo ka shumë gjasa t’i ngjitet gjithë Shqipërisë –ashtu siç ndodh zakonisht me çiftet dhe familjet, ku psikopatia e një individi përkthehet si diagnozë dhe vuajtje për gjithë familjen. Rasti i parë i absurditetit Rama ishte marrëveshja me Sali Berishën në vitin 2008, për ndryshimet që u bënë në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në sistemin zgjedhor. Ideja ishte që midis kësaj marrëveshjeje pushteti gjasme të “shpëtonte” nga fenomeni Ilir Meta dhe Shqipëria të kopjonte Greqinë fqinje, më tepër sesa Italinë dhe Izraelin (ku qeveritë binin, asokohe, dhe ngriheshin pothuajse çdo dy vjet). Kjo ujdi sot konsiderohet si autogoli i vetëm i Sali Berishës, mirëpo këtë përfundim kritikët e nxorën në retrospektivë, jo në momentin kur u mbyll ujdia. Në 2008 Sali Berisha me të drejtë mund të besonte se cilado marrëveshje që nxirrte jashtë loje partitë e vogla, ishte në interes të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe jo në interes të Partisë Socialiste. Në gjithë vendet ku zbatohej sistemi analogjik i votimit, qeveritë ishin zakonisht aleanca të majta dhe në Shqipërinë e atyre viteve e majta dukej shumë më e ndarë se e djathta. Fakti që mbas 2008ës asgjë nuk ndodhi ashtu siç e llogaritën demokratët nuk flet aq shumë për budallallëkun e Berishës, sesa për fenomenin Rama, i cili me sa duket që asokohe e kishte parashikuar se nuk është nevoja të kesh në krahun tënd Ilir Metën apo Vangjel Dulen, kur mund të gjesh njerëz të tjerë të cilët e kanë xhepin shumë më të mbushur me para (njerëz që tani në Tiranë njihen si çunat e Shijakut, çunat e Durrësit, çunat e Shkodrës, çunat e Londrës, çunat e Ekuadorit, etj.).
Cilido socialist që i lexon këta rreshta tani mund të më akuzojë si simpatizant të PD-ës, por fakti që nuk e luan topi është se vitet e qeverisjes Rama përkojnë me skandalet e blerjes së votës nga mafia e drogës brenda Shqipërisë, si edhe me përforcimin e karteleve shqiptare në Amerikën e Jugut, në Angli, Holandë, Spanjë, etj. (vende të cilat përgjatë viteve1990 nuk përfshiheshin aspak në hartën e karteleve shqiptare). Pesë shembuj të tjerë të absurditetit Rama janë plani për sjelljen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, mbyllja e Agon Channel (që i ka dhuruar vendit një gjobë të majme prej afro 120 milionë eurosh), deklaratat e tij në CNN kundra kandidatit amerikan për president, zotit Donald Trump (në vitin 2016), votimet lokale të vitit 2019 (kur presidenti Meta dhe opozita na siguruan të gjithëve që nuk do të bëheshin) dhe ajroporti Zayed në Kukës (i cili i ka shtuar defiçitin administratës shqiptare dhe u kritikua si dështim nga gjithë specialistët shqiptarë që në kohën kur ishte ende në letër). Sidoqoftë, një absurditet akoma më i madh se këto që u përmendën mbetet pa dyshim reforma në drejtësi. Kjo e fundit kam besimin se është diçka e mirë, e cila na erdhi si përpjekje e flaktë e Bashkimit Evropian dhe e Shteteve të Bashkuara, por absurditeti ndodhi me deklaratat dhe justifikimet që socialistët jepnin rreth kësaj reforme. Ndërsa shqiptarët me mendje të shëndoshë e kanë të pamundur besimin se gjasme socialistët janë më të ndershëm se politikanët e tjerë në Shqipëri (edhe kur ata votojnë pro apo kundra socialistëve kjo nuk presupozon doemos aprovim dhe kundërshtim moral, sepse siç u tha jemi bërë komb me tolerancë të tepruar ndaj çdo forme të imoralitetit), argumenti që Edi Rama dhe vartësit e tij jepnin ishte se reformën nuk e donin Ilir Meta dhe Sali Berisha, ngaqë sipas Ramës, Sokol Ballës, Elisa Spiropallit, Spartak Ngjelës, etj., me këtë reformë Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ilir Meta do të futeshin të parët në burg. E theksoj se nga njerëzit që njoh askush nuk e besonte se demokratët kishin më shumë frikë personale nga reforma sesa socialistët, mirëpo fakti sot është që kjo reformë duket sikur ka hapur kutinë e Pandorës dhe ndërsa në kampin demokrat po bëhen protesta kundra arrestimit të Sali Berishës, faktet e tregojnë që dëmi ka qenë po aq dërrmues edhe në ciklin e ngushtë të Edi Ramës, njeriut që u thoshte shqiptarëve se reformës i druhen vetëm demokratët dhe Ilir Meta. Përsa i përket tani absurditetit të fundit ramist (epiteti besoj se ia vlen të futet në Fjalorin e Shqipes, si paradoks i veçantë i jetës publike), skenari pak a shumë është i njëllojtë si gjithë skandalet apo përçartjet e Edi Ramës këto pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Diçka shkrepet një ditë në trurin e tij (pa u konsultuar me askënd, sigurisht) dhe të nesërmen bëhet fakt i kryer për Selinë Rozë, si edhe për gjithë Shqipërinë. I vetmi ndryshim me këtë përçartje të radhës (që nesër dej mund të shkaktojë një zallamahi të madhe edhe për Selinë Rozë edhe për gjithë kombin shqiptar) është se nuk dihen as shkaku dhe as diagnoza.
Ndërsa në përçartjet e tjera të kryeministrit të gjithë e dinim që vendimet i mori për të ruajtur karrigen dhe për të mbushur ndonjë qese me lekë, tani mund të imagjinojmë ndonjë shkak apo arsyetim, mirëpo të sigurt nuk jemi. E para e punës, Edi Rama deklaron lart e poshtë sikur gjoja nuk ia kërkoi Xhorxhia Meloni këtë nder atij dhe Shqipërisë, por ai vetë vajti dhe u ofroi Shëngjinin dhe Gjadrin italianëve (që t’i kthejnë në Guantanamon e Evropës, ku rolin e ushtrisë amerikane gjasme do ta luajnë pushkatarët e Italisë). E dyta, Edi Rama deklaron lart e poshtë që Shqipëria nuk do të marrë asnjë përfitim material (dhe asnjë zotim politik nga Italia)për këtë marrëveshje. E treta, marrëveshja mes të tjerash parashikon që kthimi i meshkujve afrikanë në Afrikë do të kryhet nga pala shqiptare (në rast se azili italian u refuzohet). Pra, socialistët e bindur sikur gjasme refugjatët do të vinkan në Shqipëri për eskursion njëmujor vetëm, ka shumë gjasa që llogaritë t’i kenë bërë keq. E katërta, kjo marrëveshje me Melonin u bë shumë pak kohë pasi Ramën e paralajmëruan në Bruksel se planet e tij për të joshur aziatikë të pasur dhe për t’i pajisur me dokumente shqiptare (si golden visas, golden passports, etj.) mund të vinin në rrezik lëvizjen e lirë midis Shqipërisë dhe BE. E pesta, një ditë pasi Rama u bëri shqiptarëve fakt të kryer guantanamizimin e Shëngjinit, ministrja e tij Belinda Balluku dhe disa socialistë të tjerë folën hapur kundra racizmit “tradicional” që shqiptarët na paskan kultivuar (gjatë dekadave)për gjithë njerëzit me ngjyrë. E gjashta, Rama duket sikur futi dorën në xhep (ose premtoi ndonjë shpagim a nder) në mënyrë që në Kuvendin e Shqipërisë miratimi të mos vinte vetëm nga socialistët e bindur, por të shtoheshin edhe votat e PDIU. Siç u tha, nuk dihet me siguri shkaku apo diagnoza e kësaj përçartjeje të radhës të kryeministrit tonë.
Shkruesi i këtyre rreshtave është po aq i informuar sa edhe lexuesi në lidhje me marrëveshjen Rama-Meloni. Mirëpo duke parë veprimet e tjera të kryeministrit Rama këto dhjetë a më shumë vite, diagnoza më e besueshme e Edi Ramës mund të jetë narcizizmi i tepruar (shqiptarët, të majtë a të djathtë, ekzistojnë vetëm si vegla në botën e Edi Ramës, jo si një ideal apo si një qëllim), kurse shkaku i marrëveshjes ka shumë gjasa të lidhet me këtë diagnozë. Disi Ramës, po supozoj unë, mund t’i ketë shkuar në mendje që këta mjeranë që do t’i lërë Italia në rrugët e Shqipërisë mund të kthehen në forcë garantuese e pushtetit të tij (por mund të pasurojnë edhe buxhetin e vendit), nëse nesër dej pajisen me pasaporta shqiptare dhe me të drejtë vote. Jam i sigurt që lexuesi mbeti i pakënaqur me shpjegimin tim, por uroj që ai ta kuptojë se sa detyrë të vështirë i dhashë vetes. Shumë vite përpara meje, dy dhelpra si Fatos Nano dhe Sali Berisha dështuan për t’ia lexuar trurin Edi Ramës dhe unë nuk e supozoj veten më të zgjuar se të tjerët. Ajo gjë, të paktën, që i kam lejuar vetes është morali (apo guximi) për ta pranuar se cilatdo qofshin dallditë dhe arsyetimet e Edi Ramës, shqiptarët nuk kanë dalur aspak të fituar. Statistikat e qeverisjes Rama janë statistikat e një kombi të varfëruar dhe të shkatërruar. Ato janë statistika të cilat nuk dallojnë shumë nga dështimet e rëndomta të një familjeje të cilën fati i zie la nën kujdestarinë e një kryefamiljari të çmendur.