Ish-deputeti Belind Këlliçi ka dhënë mesazhe të forta për të rinjtë e FRPD-së gjatë takimi të mbajtur në Ditën e Rinisë me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Këlliçi i kërkoi të rinjve të kërkojnë më shumë angazhim dhe përfaqësim në të gjitha nivelet drejtuese.
Ai deklaroi se zgjidhja nuk vjen nga qielli por me guxim duhen marrë “frenat” në dorë nga gjithsecili.
“Mos prisni që zgjidhja të vijë nga qielli, mos prisni që zgjidhjen t’jua japë dikush. Duhet të guxoni vetë për të marrë frenat në dorë, pikë së pari duke nisur nga aktiviteti politik që ju bëni, nga forca juaj politike, nga PD. Kërkoni të angazhoheni, kërkoni të punoni më fort, kërkoni të përfaqësoheni edhe më shumë. Unë jam shumë krenar që sot ju keni përfaqësim në të gjitha nivelet drejtuese të PD-së, por kjo nuk do të thotë se duhet të jeni të kënaqur. Kërkoni të përfaqësoheni në nivelet më të larta të PD-së dhe secili prej jush në këtë sallë duhet të ketë ambicie. Është kjo mënyra më e mirë që të ecni përpara në aspektin profesional”, theksoi Këlliçi.