Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë sërish dje seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili kërkon heqjen e masës arrest në shtëpi. GJKKO thotë se Sali Berisha ka refuzuar të firmosë fletëthirrjen për të marrë pjesë në seancë, por është konsideruar se është në dijeni të zhvillimit të saj. Në argumentet për shtyrjen e seancës, GJKKO thekson se Sali Berisha ka refuzuar që të marrë pjesë në seancë vetë, por nga ana tjetër duhej të firmoste fletëthirrjen dhe të deklaronte që do përfaqësohet nga avokatët. Në këto kushte gjyqtarja Irena Gjoka ka vendosur shtyrjen e seancës për më datë 8 mars ora 09:00. “Gjykata pasi kreu verifikimin e paraqitjes së palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht, kërkuesi/i hetuari Sali Berisha. Referuar akteve respektive të njoftimit të depozituara nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore, Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, rezultoi se shtetasi nën hetim Sali Berisha, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi” kishte refuzuar të firmosë fletëthirrjen, dokumentuar nëpërmjet kopjes së saj, të kthyer në gjykatë, të nënshkruar nga specialistët e zonës.
Gjykata ndonëse konstatoi refuzimin për të nënshkruar, e konsideroi njoftimin si të kryer. Pavarësisht dijenisë personalisht për datën dhe orën e zhvillimit të seancës së djeshme gjyqësore, në kushtet që kërkuesi/i hetuari Sali Berisha ndodhet me masë sigurimi personal shtrëngues “arrest në shtëpi”, nuk rezulton vullneti i tij lidhur me të drejtën për të marrë pjesë në këtë gjykim ose jo, për sa kohë nuk mund të paraqitet si shtetas i lirë në gjykatë”, njoftoi dje GJKKO. Po ashtu, në GJKKO është shtyrë edhe seanca për dhëndrin Jamarbër Malltezi, pasi avokati ka kërkuar kohë të njihet me informacionet e paraqitura nga SPAK. Vetë Malltezi, në ndryshim nga Berisha ka firmosur fletëthirrjen dhe ka deklaruar se nuk do marrë pjesë në seancë, por do përfaqësohet nga avokati mbrojtës. Ndërkohë me kërkesë të SPAK, dy çështjet e Berishës dhe Malltezit janë bashkuar në një dhe seanca e radhës mbahet më datë 8 mars ora 09:00. Ndërkohë, të martën në orën 10:50 një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj e Sandër Simoni do të gjykojë pretendimin e Berishës për të shuar masat e para të sigurisë ndaj tij, atë të “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Ndërsa sot në Gjykatën e Lartë pritet të shqyrtohet rekursi i SPAK, që kërkon kthimin e Malltezit në qeli. Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK, për korrupsion së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.