Kaosi parlamentar nuk ka munguar as dje. Pasditen e djeshme u mblodh Kuvendi për të diskutuar mbi “hallet e qytetarëve”, por opozita vijoi me të njëjtin skenar. Deputetët me pankarta në duar bllokuan foltoren, teksa këtë herë munguan tymueset, por ligjvënësit ishin pajisur me zhurmues dhe bilibila. Drejtuesja e seancës Lindita Nikolla e largoi Gardën dhe kërkoi nga deputetët që të flasin për problemet e qytetarëve, teksa më pas ja u kaloi fjalën deputetëve socialistë. “Njerëzit duan të dëgjojnë për hallet e shqetësimet e tyre, jo hallet tuaja”, tha Nikolla. E para që foli ishte Edona Bilali dhe pas saj e mori fjalën Vullnet Sinaj.
Por këtij të fundit ju afrua Flamur Noka, i cili përmes një zhurmuesi nuk lejonte të fliste. Kaq mjaftoi që Lindita Nikolla të mbyllte seancën, seancë që zgjati më pak se 7 minuta. Ndërsa Merita Bakiu deputetja e PD, në mungesë të mbajtjes së fjalës në Kuvend për të përcjellë problemet e banorëve të zonës që ajo përfaqëson ka folur jashtë Parlamentit. Ajo denoncoi aferën me rrugën Thumanë-Kashar. “Papërgjegjshmëria e qeverisë e paparë. Sot që ngrihen problemet e zgjedhësve gjysma e kabinetit nuk ishin në sallë. Sot i bëj thirrje ministres Balluku, kryeministrit që të bëjnë ndërhyrje të menjëhershme për aksin Thumanë-Kashar. Është problem madhor sepse penalizon qindra biznese…”, deklaroi Bakiu.