Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin me burg për ish-kryebashkiakun e Fushë-Arrëzit, Fran Tuçi, për “shpërdorim detyre” pasi lejoi hapjen e një rruge në zonë pyjore.
E gjitha lidhet me një rrugë të re, që për çudi Fran Tuci e kishte lejuar të ndërtohej, edhe pse nuk kishte një leje, dhe më keq akoma, segmenti që do të ndërtohej, dëmtonte pyllin.
Fran Tuci u arrestua më 13 korrik të këtij viti. SPAK e hetoi dhe e dërgoi në gjyq me akuzën se ka shpërdoruar detyrën duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 23.4 milionë lekë. Bashkë me të, SPAK akuzoi për shpërdorim të detyrës edhe ish-administratorin e njësisë Iballë, Ndoc Marku.
I pandehur është edhe Durim Markgjekaj, administrator i firmës “Legjendari” i cili është ende në kërkim pasi akuzohet për “Ndërtim të paligjshëm”. Bashkë me heqjen e lirisë, ish-kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Fran Tuci i ndalohet të ushtrojë funksione publike për 5 vite.