Ish-kryeministri i shpallur “non-grata” Sali Berisha nga dritarja e banesës së tij ku vuan dënimin me arrest shtëpiak iu kujtoi mbështetësve të mbledhur si cdo mbrëmje që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar poshtë dritares së banesës së tij se “ne do mund të fitojmë vetëm kur t’i quajmë armiq Edi Ramën dhe qeveritarët e tij! Nuk ka pushtim që ikën pa përballje”, theksoi Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestarëve dhe qëndrestareve, misionarëve të vërtetë të një kauzë të madhe të çdo shqiptari dhe të kombit në tërësi.
Të dashur miq, çdo ditë regjimi i bazuar në vjedhjen, drogën dhe krimin del para shqiptarëve dhe botës më i shëmtuar.
Çdo ditë bëhet më i egër, çdo ditë është një ditë jo e mirë për qytetarët e këtij vendi. Është një ditë në të cilën ata poshtërohen edhe më shumë. Ata vidhen edhe më shumë. Ata mjerohen edhe më shumë.
Miqtë e mi, sot çdo shqiptar duhet të shtrojë pyetjen vetes: a duhet të shpëtojmë nga ky regjim? A duhet të dalim nga kthetrat e kësaj diktature? Apo duhet të qëndrojmë skllevër të propagandës trulluese të tij? Të varfërisë në rritje që sjell?
Unë besoj se çdo njeri i civilizuar ka vetëm një përgjigje: o sot o kurrë, nuk duhet të durojmë më. Por miqtë e mi, ka një problem në themel tek ne, sepse në qoftë se Edi Rama, qeveritarët e tij qëndrorë, vendorë, zyrtarët e tij na shohin ne si qenie për t’u poshtëruar, për t’u vjedhur, për t’u shfrytëzuar, për t’u varfëruar, ne do mund të fitojmë vetëm kur t’i quajmë ata armiq, armiq, armiq, armiq.
Kur ne në të gjithë qenien tonë, në të gjithë ndërgjegjen tonë do t’i quajmë këta pushtues armiqtë tanë, që po shkatërrojnë qenien shqiptare sa asnjë pushtues tjetër në histori. Kur ne t’i themi armikut armik, sigurisht që do ketë qytetarë që do tremben, do ketë të tjerë që do druhen.
Por do ketë djem dhe vajza nënash që do i tregojnë armikut atë që meriton. Do ketë shqiptarë të vendosur për sakrifica. Do ketë qytetarë që do ngrihen në lartësitë e idealeve të tyre. Miqtë e mi, nuk ka pushtim që ikën pa përballje. Nuk ka pushtues që përmbyset pa sakrifica. Nuk ka të keqe që largohet pa u përballur dhëmb për dhëmb dhe pa e shkulur nga rrënjët atë.
Qytetarë dhe qytetare, çdo orë, çdo ditë që kalon është humbje për ne.
Ndaj dhe ne të ngrihemi përballë këtyre armiqve që vjedhin pasuritë publike, që vjedhin buxhetin e shtetit dhe që mbrohen në mënyrën më të tmerrshme nga banda Dumani-Kraja.
Këta kriminelë që i ka pasur drejtësia shqiptare vetëm në kohërat më të zeza të diktaturës.
Miqtë e mi, çdo qytetar duhet t’i shtrojë vetes pyetjen: çfarë duhet të bëjnë këta më keq, më zi për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Sot dhe dje, ju lexuat për operacionin e 50 kallp-mandateve.
Por, çfarë tregon? Tregon se deputeti Ndoka bënte plane për të vrarë deputetin tjetër, deputeti Rraja bënte plane mafioze për të vrarë mafiozin Ndoka.
Që të dy miq me kokë të kryehajdutit, të kryekryeminelit të Shqipërisë, Edi Rama.
Miqtë e mi, me 50 mandate arresti, nga të cilat asnjë boss, asnjë lejtnant i bosëve, as u ndalua, as nuk u arrestua.
U arrestuan gjithsej 5 magazinierë, furnitorë dhe të tjerë.
Me këto mandate, Altin Dumani kërkon të mbyllë lidhjet politike të Edi Ramës me krimin.
Lidhjet e tmerrshme të Taulant Ballës, këtij banditi, i cili përfaqëson klanet më të rrezikshme të krimit në Shqipëri.
Lidhjet e Pjerin Ndreut dhe bandës tjetër me radhë.
Me këto mandate kallp, Altin Dumani, dyshja famëzezë Dumani-Kraja kërkojnë të mbyllin krimin monstruoz elektoral të këtyre kriminelëve.
Mandatet që rrëmbyen në emër të Edi Ramës.
Pra, e shikoni vetë se me çfarë horrash kemi të bëjmë në këtë shtet.
Ky është shteti i mafies, shteti i hajnave, shteti i horrave që po shkatërron Shqipërinë dhe shqiptarët.