Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi priti dje në KQZ drejtoren ekzekutive të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj dhe Ardita Kolmarkun nga Klinika e Ligjit në KShH me të cilat zhvilloi bashkëbisedim të hapur mbi reformën e pritshme zgjedhore dhe nevojën e plotësimeve ligjore të ardhura nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Celibashit, palët ndanë pikëpamjet dhe rekomandimet e bëra në seancat dëgjimore të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. “Shpreha vlerësim për kontributin tejet të vlefshëm të KShH, jo vetëm në vëzhgimin e zgjedhjeve, por edhe mbi rekomandimet dhe kritikat konstruktive nga KShH për administrimin zgjedhor dhe denoncimin e rasteve të shpërdorimit të pasurive publike për fushatë.
Dakordësuam se depolitizimi i administratës zgjedhore do t’i japë më tepër profesionalizëm përgatitjes së duhur të komisionerëve të nivelit të dytë dhe të tretë dhe se është me shumë rëndësi procesi i njoftimit me shkrim të zgjedhësve për qendrat e votimit nga ana e pushtetit vendor përkatës”, deklaroi komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.