Departamenti Amerikan i Shtetit e sheh Asociacionin e komunave me shumicë serbe si kyç për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si shtet sovran të integruar në strukturat euroatlantike. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, gjatë një konference të mërkurën tha se përmes dialogut besojnë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Por Price theksoi se nuk mund të vendosin një afat kohor për njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Sigurisht që ne duam që këto çështje, këto tensione mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe kështu ne do të mbështesim këtë dialog të BE-së. Ne do të ndërmarrim çdo hap që mundemi si partner i Kosovës dhe i Serbisë dhe i BE-së për të mbështetur përshpejtimin në çdo mënyrë të mundshme të përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, ne thjesht nuk mund të vendosim një kornizë kohore për të. Sigurisht që ne duam që këto çështje të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Në dialogun Kosovë-Serbi së fundmi ka pasur disa zhvillime. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në një takim të mbajtur më 27 shkurt kanë pranuar një propozim të Bashkimit Evropian në Bruksel, të titulluar “Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi”. Marrëveshja, për të cilën janë bërë përgatitje prej vjeshtës së vitit 2022, dhe mbulon shumë aspekte në marrëdhëniet mes dy vendeve nuk është nënshkruar ende, mirëpo është publikuar zyrtarisht nga BE-ja. Marrëveshja në thelb është një shtesë e marrëveshjes së arritur më 2013 në Bruksel, në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e cila ka paraparë normalizimin e marrëdhënieve, pasi Kosova e ka shpallur pavarësinë më 2008 veprim që Serbia nuk e ka pranuar kurrë.